ELBASAN,3korrik2026/Albania Express News/- Dega e Partisë Demokratike në Elbasan ka përmbyllur procesin e ndërtimit të strukturës së saj drejtuese, duke konstituuar Kryesinë e re dhe duke zgjedhur drejtuesit që do të udhëheqin degën në vijim.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Degës së Partisë Demokratike Elbasan, Alis Narazani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku njofton se procesi është zhvilluar me sukses në prani të Drejtuesit Politik të Qarkut Elbasan, Tomor Alizoti, dhe Koordinatorit të Qarkut, Arben Ibroja.
Sipas Narazanit, pas konstituimit të Kryesisë së re dhe diskutimeve mbi zhvillimet politike, anëtarët e saj, duke zbatuar parimin “një anëtar Kryesie, një votë”, zgjodhën me votim të fshehtë katër nënkryetarët e degës.
Më tej, me propozim të Kryesisë së PD Elbasan dhe me vendim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë, u emërua edhe Sekretari Politik i degës.
Në përfundim të këtij procesi organizativ, Dega e Partisë Demokratike Elbasan tashmë ka një ekip të plotë drejtues, i cili, sipas Narazanit, do të punojë me përgjegjësi, përkushtim dhe bashkëpunim në funksion të demokratëve dhe qytetarëve të Elbasanit.
Kryetari i degës u uroi suksese të gjithë anëtarëve të ekipit të ri drejtues, duke shprehur besimin se ata do të përmbushin me përgjegjësi detyrat që u janë besuar.
Ekipi i ri drejtues i Partisë Demokratike, Dega Elbasan:
Sekretar Politik:
- Sokol Shkelzeni
Nënkryetarë për qytetin:
- Gentjan Shabanaj
- Elsa Gega
Nënkryetarë për njësitë administrative:
- Gani Cani
- Qani Sherja.
Me këtë vendimmarrje, Partia Demokratike në Elbasan përmbyll procesin e riorganizimit të strukturave drejtuese, duke synuar forcimin e organizimit dhe angazhimin politik në nivel vendor.


