ELBASAN, 3 korrik 2026/Albania Express News/- Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, hodhi poshtë akuzat për dhunë policore gjatë protestës së zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit, duke deklaruar se përplasjet nisën pasi efektivët e Policisë së Shtetit u goditën me gurë dhe sende të forta nga një grup personash.
Gjatë një vizite në Drejtorinë Vendore të Policisë në Elbasan, ku së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit, Lamallari tha se policia veproi në zbatim të ligjit për të garantuar rendin publik dhe për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Sipas ministrit, disa efektivë të Policisë mbetën të plagosur gjatë përplasjes, ndërsa ai theksoi se duhet bërë dallimi mes qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar dhe personave që përdorin dhunën.
“Protesta është një e drejtë kushtetuese, por nuk mund të ngatërrohet me aktet e dhunës. Punonjësit e Policisë u goditën të parët me gurë dhe sende të forta, duke pësuar lëndime gjatë kryerjes së detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë,” u shpreh Lamallari.
Ministri reagoi edhe ndaj pretendimeve për dhunë ndaj gazetarëve, duke deklaruar se pamjet e administruara nga autoritetet tregojnë se përplasjet ndodhën mes protestuesve dhe përfaqësuesve të medias, të cilëve, sipas tij, iu tentua t’u merreshin mikrofonët gjatë raportimit.
Ai kujtoi edhe thirrjen e bërë më herët nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për garantimin e sigurisë së gazetarëve, duke theksuar se Policia kishte ndërhyrë pikërisht për të mbrojtur rendin dhe për të shmangur incidente të mëtejshme.
Në deklaratën e tij, Lamallari akuzoi një grup të vogël personash për dhunë ndaj efektivëve, gazetarëve, deputetëve dhe pronës publike, duke theksuar se ata nuk mund të konsiderohen protestues.
“Sulmuan punonjësit e Policisë me gurë, intimiduan deputetët dhe dëmtuan automjetet e Policisë. Këta persona nuk kanë lidhje me protestën. Ata janë thjesht vandalë,” deklaroi ministri.
Deklaratat e Lamallarit u bënë në Elbasan, pas inaugurimit të ambienteve të rikonstruktuara të Drejtorisë Vendore të Policisë, investim që synon përmirësimin e kushteve të punës për 332 punonjës të Policisë së Shtetit.

