Belshi e ngre turizmin e aventurës në një tjetër nivel , bashkia e parë në Shqipëri me dy zip-line profesionale moderne mes liqeneve karstike të zonës së Durmesë.

NGA FATMIR POPJA

BELSH ,26 qershor 2026/ Albania Express News/Bashkia e Belshit vijon të konsolidohet si një nga destinacionet turistike më tërheqëse në vend, duke investuar jo vetëm në promovimin e pasurive natyrore dhe destinacioneve turistike, por edhe në krijimin e atraksioneve moderne të turizmit të aventurës. Brenda pak ditësh, në territorin e kësaj bashkie janë inauguruar dy linja profesionale zip-line, duke e bërë Belshin bashkinë e vetme në Shqipëri që ofron dy eksperienca të tilla për vizitorët.

Nëse jeni adhurues të adrenalinës, peizazheve mahnitëse dhe ndjesisë së veçantë që të jep “fluturimi” mbi natyrë, Belshi tashmë ka dy destinacione që premtojnë emocione të forta dhe pamje spektakolare mbi liqenet karstike, kodrat e gjelbëruara dhe peizazhin karakteristik të Dumresë.

Linja e dytë e zip-line u inaugurua këtë të enjte në hyrje të qytetit të Belshit, në një nga pikat më panoramike të zonës. Nga kjo lartësi, vizitorët përjetojnë një aventurë unike duke rrëshqitur mbi liqenin e qytetit dhe duke shijuar nga ajri një panoramë mbresëlënëse, që e bën këtë eksperiencë të paharrueshme.

Atraksioni i parë ndodhet në Eco Park Dumrea, pranë Liqenit të Marinës, ku prej pak kohësh ka nisur të tërheqë vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj. Tashmë, me funksionimin e dy zip-line-ve, Belshi po shndërrohet në një pikë referimi për turizmin aktiv dhe aventurier në Shqipëri.

Linja e zip-line në Liqenin e Belshit ka një gjatësi prej 737 metrash, ndërsa kulla e nisjes arrin lartësinë 18.12 metra. Ajo është projektuar për përdorues me peshë nga 35 deri në 110 kilogramë.

Ndërkohë, zip-line në Eco Park Dumrea, pranë Liqenit të Marinës, ka një gjatësi prej 525 metrash, me kullë nisjeje 23.4 metra të lartë dhe të njëjtin kapacitet të lejuar peshe, nga 35 deri në 110 kilogramë.

Të dyja linjat janë ndërtuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare të sigurisë. Sistemi i frenimit është ZipStop, prodhuar nga kompania amerikane Headrush Technologies, një nga teknologjitë më të avancuara në botë për këtë lloj aktiviteti.

Siguria mbetet prioritet absolut. Pajisjet mbrojtëse kanë një kapacitet mbajtës prej 4,000 kilogramësh, ndërsa kavoja e çelikut të galvanizuar përballon deri në 23,000 kilogramë, duke garantuar standarde maksimale për çdo pjesëmarrës.

Para nisjes, çdo vizitor pajiset me helmetë dhe harness të certifikuara, si dhe merr një trajnim të shkurtër nga instruktorë profesionistë të trajnuar, të cilët e ndjekin procesin në çdo hap. Në përfundim të aventurës, pjesëmarrësit marrin një certifikatë simbolike, si dhe një video të personalizuar të fluturimit, duke e kthyer eksperiencën në një kujtim të veçantë.

Në ceremoninë e inaugurimit të zip-line pranë Liqenit të Belshit morën pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, deputetët Arbian Mazniku dhe Ermal Elezi, kryetari i Bashkisë së Belshit Arif Tafani, përfaqësues të institucioneve, qytetarë dhe vizitorë të shumtë.

Hapja e këtyre dy atraksioneve përfaqëson një hap të rëndësishëm në strategjinë e zhvillimit të turizmit në Belsh, duke i shtuar zonës një ofertë të re që ndërthur aventurën, natyrën dhe sigurinë. Me liqenet e tij karstike, peizazhet unike dhe tashmë me dy zip-line profesionale, Belshi synon të tërheqë gjithnjë e më shumë turistë gjatë gjithë vitit, duke u shndërruar në një nga destinacionet më të veçanta të turizmit të aventurës në Shqipëri.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

PD: Protesta, rruga e vetme për zgjidhjen e krizës së thellë politike

TIRANË, 26 qershor 2026 /Albania Express News/ Partia Demokratike...

Vetëm 7 minuta për të “vrarë” ndeshjen! Holanda dhuron show dhe vulos me sukses fatin e saj për të vazhduar më tej

BOTËRORI 2026/ 26,qershor 2026/Albania Express News/Holanda ka arritur një...

Ndodh mrekullia amerikano-latine, Ekuadori mund me përmbysje Gjermaninë dhe kualifikohet si vend i tretë

BOTËRORI 2026/26 qershor 2026/Albania Express News/Ekuadori ka arritur një...

Dita e 26-të e protestës, qytetarët marshojnë në kryeqytet, ulen këmbëkryq para Parlamentit: Shqipëria kërkon revolucion

TIRANË ,26 qershor 2026/Albania Express News/-Tubimi qytetar para Kryeministrisë...