ELBASAN ,17 qershor 2026/Albania Express News/Pas largimit të portierit Martin Janacek drejt kampionatit sllovak, drejtuesit e AF Elbasanit kanë nisur menjëherë punën për të gjetur zëvendësuesin e tij, duke vijuar traditën e afrimeve nga futbolli çek.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se verdheblutë kanë hapur bisedimet me portierin çek Daniel Kerl, i cili aktualisht është pjesë e gjigantëve të Sparta Pragës. Gardiani 25-vjeçar shihet si një profil mjaft interesant për projektin e Elbasanit, që synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për sezonin e ri të Superligës.
Kerl, i cili ka një gjatësi prej 1.98 metrash, është formuar në akademinë e Budejovice, ndërsa verën e kaluar firmosi me Sparta Pragën. Gjatë sezonit të fundit ai ka qenë pjesë e ekipit të parë si alternativë në portë, ndërsa ka luajtur rregullisht me ekipin B, duke fituar eksperiencë të vlefshme në futbollin çek.
Një nga faktorët që mund të ndikojë pozitivisht në realizimin e transferimit është fakti se Elbasani i garanton më shumë hapësira aktivizimi. Minutazhi i rregullt është prioritet për portierin çek, i cili po vlerëson seriozisht mundësinë për të vazhduar karrierën në Shqipëri.
Sipas informacioneve, Daniel Kerl ka zhvilluar edhe biseda me ish-portierin e Elbasanit, Martin Janacek, për të marrë më shumë detaje mbi kampionatin shqiptar, qytetin e Elbasanit dhe ambientin brenda klubit verdheblu. Referencat pozitive të Janacek mund të luajnë një rol të rëndësishëm në vendimin final të gardianit çek.
Nëse transferimi konkretizohet, Elbasani do të siguronte një portier me parametra fizikë imponues dhe eksperiencë në një nga klubet më të mëdha të Çekisë, duke synuar të mbulojë boshllëkun e lënë nga largimi i Janacek dhe të forcojë repartin e fundit për sfidat e sezonit të ardhshëm.

