Akuza të rënda pas humbjes ndaj Kukësit, trajneri i Butrintit: E dinim që ishte ndeshje e paracaktuar dhe paravendosur

Nga Fatos Lamaj

SARANDË,28 maj 2026/Albania Express News/Butrinti nuk ia ka dalë të mposhtë Kukësin në ndeshjen “e sajuar’ play-out mes dy ekipeve për pjesëmarrjen në Kategorinë e Parë në sezonin e ardhshëm. Trajneri i Butrintit, Artan Meçani, pas ndeshjes së humbur 2-0 nuk ka ngurruar të lëshojë akuza të forta.

“Normalisht, mungesat ndikuan te Butrinti, pasi nuk është se jemi një ekip me shumë alternativa në stol. Kështu që u futëm në këtë ndeshje me një grup jo të shumtë lojtarësh, duke aktivizuar edhe futbollistë nga U-19. Nuk është se prisnim ndonjë rezultat pozitiv nga kjo sfidë, sepse e dinim se kjo ishte një ndeshje e paracaktuar dhe e paravendosur nga faktorë të tjerë.

Ne erdhëm thjeshtë për të respektuar garën, tifozët tanë dhe klubin e Butrintit. Nuk erdhëm për të kaluar më lart, pasi as nuk e prisnim as nuk e mendonim këtë gjë. Maksimumi i Butrintit ishte ajo që treguam në kampionat, ku siguruam vendin e parë në grup, por që padrejtësisht Butrintit ia mohuan. Ne nuk kemi çfarë të bëjmë, këto janë kushtet dhe nuk është në dorën tonë. Butrinti e bëri maksimumin e tij, por zhvilluam një ndeshje që nuk duhet të ishte luajtur.

Sezoni i ri? Është shpejt akoma për të folur për këtë çështje. Pas gjithë këtij kampionati kaq të gjatë do të pushojmë pak dhe të qetësohemi, si dhe do të shikojmë se cila është më e mira për klubin, për mua, për lojtarët. Më vonë do të vendosim nëse rrugët e Butrintit do të vijojnë me apo pa Artan Meçanin, me lojtarët që ekzistojnë apo me ndryshimin. Këto janë gjëra që i takojnë së ardhmes, aktualisht po flasim vetëm për të tashmen”, u shpreh trajneri Artan Meçani .

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME