Nga Ronaldo, te Konte, trofeu me Italinë dhe ëndrra kuqezi. Rrëfehet futbollisti Luis Hasa me origjinë nga Peqini që pret debutimin me kombëtaren shqiptare : Jam i sigurt që babai im do qajë, kam në vena gjak shqiptari

TIRANË ,26 maj 2026/Albania Express News/Nga Ronaldo, te Konte, trofeu me Italinë dhe ëndrra kuqezi. Rrëfehet futbollisti Luis Hasa me origjinë nga Peqini që pret debutimin me kombëtaren shqiptare : Jam i sigurt që babai im do qajë, kam në vena gjak shqiptari

Një nga emrat që pritet të debutojë me Kombëtaren shqiptare nën urdhrat e trajnerit të riu, Rolando Maran, është edhe Luis Hasa me origjinë nga Peqini . Djaloshi shqiptar, pas shumë vitesh si pjesë e përfaqësueseve të moshave të Italisë, ka vendosur që të veshë fanellën kuqezi.

Dy muaj më parë ai ka bërë ndryshimin nga Italia te Shqipëria, të miratuar edhe në FIFA, ndërsa tashmë pret momentin e tij për të veshur fanellën kuqezi. Hasa, në një intervistë të dhënë për “Fanpage.it”, ka folur për karrierën e tij, duke u ndalur në momente të ndryshme, duke filluar nga rritja në akademinë e Juventusit, teksa iu afrua edhe ekipit të parë të bardhezinjve.

“Nuk është se kam kaluar shumë kohë atje, për fat të keq por mbaj mend emocionet shumë të forta ato pak herë që hyra. Kur kalon nga e para e lojtarëve të caktuar në TV dhe pastaj e gjen veten ulur pranë tyre, të dridhen pak këmbët, është e pashmangshme. Që kur isha i vogël, idhulli im ka qenë gjithmonë Kristiano Ronaldo, kështu që ta shihja nga afër ishte një emocion i madh, edhe pse e takova vetëm për disa sekonda. Ndodhi një Krishtlindje, kur lojtarët e ekipit të parë erdhën në dhomat e zhveshjes për të na përshëndetur ne lojtarëve të akademisë.

Arrita të bëja vetëm një foto që e çmoj shumë, por nuk munda as të pëshpëritja një fjalë. Nëse do e takoja tani? Do t’i kërkoja fanellën e tij. Do të ishte një kujtim që do ta ruaja me gjithë zemër. E di që nuk i jep shumë me dëshirë, por patjetër do të përpiqesha.

Kush më bëri përshtypje? Kishte kaq shumë lojtarë të shkëlqyer, por nëse do të më duhej të përmendja një, edhe për shkak të ngjashmërisë në pozicion, do të thosha Dibala. Ai kishte klas të pafund, ai mund ta përkëdhelte topin”, tregoi Hasa periudhën e tij pranë yjeve të Juventusit.

Më pas erdhi transferimi te Leçe e në vijim edhe ai te Napoli, ku nuk luajti, por u bë pjesë e festës së titullit kampion të fituar me Konten.

“Ajo skuadër e Napolit ishte dhe është, plot me kampionë të mëdhenj, kështu që ke luksin e zgjedhjes. Ata që më bënë më shumë përshtypje, veçanërisht fizikisht, ishin MekTominej dhe Anguisa, të cilët janë vërtet dy gjigantë, si dhe padyshim lojtarë të shkëlqyer. Anguisa, në veçanti, gjithmonë më jepte shumë këshilla. Atij me sa duket i pëlqente mënyra ime e të luajturit dhe shpesh vinte të fliste me mua. Ai gjithmonë më thoshte të mos e mbaja shumë topin, të luaja me një ose dy prekje maksimumi. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë në Serie A, ku kundërshtarët vijnë dhe të sulmojnë fort, por u përpoqa ta vija në praktikë edhe këtë sezon dhe mendoj se rezultatet janë parë.

Përshtypjet për Konte? Vendosmëria e tij, mentaliteti me të cilin përballon çdo ndeshje dhe dëshira e tij për të fituar gjithmonë. Nga kjo perspektivë, është vërtet mbresëlënës. Dhe pastaj, sigurisht, vëmendja e tij ekstreme ndaj grupit në tërësi, por edhe ndaj çdo anëtari të skuadrës, qofshin kampionë apo lojtarë të rinj që vijnë nga Primavera. Ai i trajton të gjithë në mënyrë të barabartë, i bën të gjithë të ndihen të rëndësishëm. Festa e titullit? Ishte vërtet e pabesueshme. Është e vështirë ta shpjegosh nëse nuk e ke përjetuar vetë. Një lloj deliriumi kolektiv që zgjati ditë, javë. Një përvojë e bukur dhe një emocion i madh. Përtej festimit, isha shumë i lumtur që munda t’i ndaja ato momente me të gjithë familjen time, e cila kishte ardhur në Napoli për këtë rast”, tha Hasa.

Më pas erdhi edhe kapitulli i Kombëtares dhe fakti se pse një lojtar i cili kishte fituar Europianin U19 me Italinë duke u shpallur lojtari i turneut, zgjidhte t’i bashkohej Shqipërisë.

“Sigurisht, ishte një gëzim i madh për të gjithë. Ne ishim të gjithë në Maltë dhe festuam së bashku. Prindërit e mi bënë kaq shumë sakrifica që unë të mund të kurorëzoja ëndrrën time dhe t’i shihja ata kaq të emocionuar më mbushi zemrën.

Kam kaluar disa momente të mrekullueshme me Italinë dhe nuk ishte një vendim i lehtë, por menduam se ishte i duhuri për mua dhe për zhvillimin e karrierës sime. Pastaj unë u linda dhe u rrita në Itali, por në venat e mia rrjedh gjak shqiptar. Edhe pse babai im ka qenë në Itali për më shumë se tridhjetë vjet, dhe nëna ime për më shumë se njëzet, lidhja me atdheun e tyre mbetet e paprekur. Pra, të më shihnin të luaja me një fanellë të Shqipërisë do të ishte një ëndërr e bërë realitet për ta. Jam i sigurt se, nëse do të ndodhte, do ta shihja të derdhte lot edhe babanë tim, i cili ka bërë gjithçka që mundet për t’i mbajtur ato, edhe në momentet më emocionale.

Ëndrra ime? Përveç debutimit tim në ekipin kombëtar dhe shikimit të emocioneve në sytë e prindërve të mi, qëllimi im, herët a vonë, është të luaj në Serinë A. Gjithmonë kam qenë shumë afër, por në fund, nuk kam arritur kurrë të debutoj”, tregoi futbollisti më i ri i Kombëtares shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME