FIER,23 maj 2026/Albania Express News/ Mes një atmosfere festive dhe pjesëmarrjes së qindra qytetarëve, Fieri çeli sot zyrtarisht sezonin turistik veror në plazhin e Darëzezës.
Festës së hapjes nuk i munguan garat e hipizmit, koncerti rok dhe ndeshjet e boksit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve është cilësuar si një ogur i mirë për sezonin turistik, sipas kryebashkiakut Armando Subashi, i cili në një prononcim për medie tha se përtej festës, bashkia ka marrë masa konkrete për një sezon të mbarë.
“Ne presim që ky të jetë një sezon i suksesshëm edhe përvojën e kam të plotë edhe investimet që kemi kryer në infrastrukturën për bregdetin do ta mundësojnë këtë gjë. Besoj që kështu do të vazhdojmë deri në fund. Ne kemi bërë një shpërndarë më të mirë të hapësirës së plazhit duke ruajtur raportet të drejta e sipas përcaktimeve të plazheve private dhe publike. Për plazhet publike kemi marrë masa, kemi shtuar numrin e vrojtuesve”, tha Subashi.
Fieri ka dy plazhe të mëdha të frekuentuara masivisht, Semanin dhe Darëzezën. Por këtë sezon, surpriza pritet të jetë Pishë-Poro, për të cilin Subashi tha se është “perla” e bregdetit të Fierit.
Darëzeza po kthehet çdo vit në një destinacion gjithnjë e më të preferuar, duke premtuar një verë plot vizitorë dhe energji pozitive.

