INTERVISTOI FATMIR POPJA
LIBRAZHD,23 maj 2026/Albania Express News/Në një kohë kur arti modern po merr forma të shumta, ka ende artistë që zgjedhin të ruajnë shpirtin tradicional dhe ta sjellin atë përmes duarve, pasionit dhe shpirtit krijues. Një prej tyre është edhe Ergi Teta, i riu nga fshati piktoresk Dorëz i Njësisë Administrative Qendër i bashkisë së Librazhdit, i cili ka kthyer dashurinë për drurin, pirografinë dhe skulpturën në një identitet unik artistik.
Me një rrugëtim të nisur që në fëmijëri, mes vështirësive ekonomike, sakrificave familjare dhe ëndrrave të mëdha, Ergi Teta sot është një emër që po fiton vlerësim për punimet e rralla me djegie në dru dhe gdhendje artistike. Në këtë intervistë ekskluzive për “Albania Express News”, ai rrëfen emocionet, sakrificat, pasionin për artin dhe ëndrrën për të lënë emrin e tij “të gdhendur në dru”, ashtu si vetë veprat që krijon.
INTERVISTA EKSKLUZIVE:ERGI TETA PËR “ALBANIA EXPRESS NEWS”
Ergi, fillimisht na trego pak për veten dhe vendlindjen tënde…
Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën! Unë jam Ergi Teta, 29 vjeç, i lindur dhe i rritur në fshatin Dorëz të Librazhdit, një vend shumë i bukur, piktoresk dhe me njerëz bujarë. Kam lindur më 10 tetor 1996 dhe jam krenar për origjinën time, sepse aty mora frymëzimin e parë për artin dhe natyrën.
Kur lindi pasioni yt për artin?
Që kur isha fëmijë kisha shumë dëshirë të vizatoja. Ishte diçka që më vinte natyrshëm, por në atë kohë isha i turpshëm dhe e mbaja brenda vetes atë pasion. Megjithatë, dita-ditës kuptova se arti ishte pjesë e shpirtit tim dhe se një ditë duhej ta shprehja para njerëzve.
Filloren e kam bërë në Dorëz dhe pasi mbarova 9-vjeçaren mora vendimin më të rëndësishëm të jetës sime ,të vazhdoja studimet për pikturë dhe skulpturë në liceun artistik “Onufri”.
Si ishte periudha e studimeve në lice?
Nuk ishte e lehtë. Mundësitë financiare të familjes nuk ishin të mira, sepse ajo ishte një kohë e vështirë dhe prindërit ishin pa punë. Por pavarësisht kësaj, me ndihmën dhe mbështetjen e tyre vazhdova përpara.
Bëra konkursin dhe pas një muaji mora lajmin se kisha fituar dhe isha pranuar në lice. Ishte një emocion shumë i madh për mua. Profesorët aty më dhanë shumë dije dhe më ndihmuan të zhvilloja talentin tim, edhe pse unë besoj se arti është një dhunti që ma ka falur Zoti.
Pse zgjodhe veçanërisht punimet në dru?
Skulptura më dha shtysën e parë të fortë për të ecur përpara, por zemra ime gjithmonë ka qenë tek druri. Punimet me djegie në dru dhe gdhendjet janë diçka që nuk i kam mësuar në shkollë, por i kam zhvilluar vetë në shtëpi, me shumë praktikë dhe pasion.
Pirografia në dru është një art shumë i veçantë dhe i rrallë. Kërkon durim, përkushtim dhe shumë dashuri për atë që bën. Çdo portret, peizazh apo figurë që krijoj në dru ka një pjesë të shpirtit tim brenda.
Sa e vështirë është të punosh me dru dhe me teknikën e djegies?
Është një punë shumë delikate. Një gabim i vogël mund të prishë gjithë punimin. Duhet qetësi, përqendrim dhe shumë durim. Gdhendja në dru kërkon kohën e vet, ndërsa djegia në dru kërkon kontroll të madh të dorës dhe imagjinatë artistike.
Por kur sheh rezultatin final dhe njerëzit emocionohen nga punimet e tua, çdo lodhje harrohet.
Kur erdhi momenti i parë i suksesit për ty?
Ekspozita ime e parë në Librazhd ishte një nga momentet më emocionuese të jetës sime. Punimet e mia në dru u pëlqyen shumë nga të pranishmit dhe kjo më dha besim se isha në rrugën e duhur.
Njerëzit mbeteshin të surprizuar nga teknika e djegies në dru, sepse është një art i rrallë dhe jo shumë i përhapur. Aty kuptova se puna ime kishte vlerë dhe se arti im arrinte të prekte zemrat e njerëzve.
Çfarë ndjesie të jep arti?
Arti për mua është jetë. Është ngrohtësi, emocion dhe shpirt. Mua më pëlqen ta bëj botën më të bukur përmes ngjyrave dhe punimeve artistike. Pikturat murale, skulpturat dhe punimet në dru më japin qetësi shpirtërore.
Ndjesia më e bukur është kur njerëzit të vlerësojnë për atë që bën me zemër.
Çfarë mesazhi do të jepje për të rinjtë që kanë një ëndërr?
Do t’u thoja të mos heqin dorë kurrë nga ajo që duan. Nëse ke një talent apo një ëndërr, ndiqe me sy hapur dhe jo në gjumë. Jeta ka vështirësi, por pasioni dhe puna të çojnë përpara.Ajo që ke si dhunti duhet ta vlerësosh dhe ta zhvillosh çdo ditë.
Si e sheh të ardhmen tënde artistike?
Unë besoj se gjërat më të bukura janë ende përpara meje. Dua të vazhdoj të krijoj, të hap ekspozita të tjera dhe emri im një ditë të jetë i njohur, i gdhendur në dru ashtu si vetë punimet e mia.
Jam krenar për atë që jam dhe falënderoj Zotin për këtë dhunti.
“Kjo që unë po bëj është një ëndërr që nuk duhet lënë kurrë përgjysmë” .Dua të jetë historia frymëzuese e artistit që po i jep shpirt drurit.
Rrugëtimi i im është historia e një djali të thjeshtë nga Dorëzi i Librazhdit, që mes sakrificash dhe pasioni arriti të ndërtojë identitetin e tij artistik. Me punime unike në dru, pirografi dhe skulpturë, dua të dëshmoj se arti i vërtetë lind nga zemra dhe nga këmbëngulja për të mos hequr dorë kurrë nga ëndrra.


