Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan ka zhvilluar edhe këtë vit një nismë sensibilizuese për dhurimin e gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, duke vijuar një traditë humane tashmë të kthyer në aktivitet të përvitshëm në shërbim të komunitetit.

Trajnerë, sportistë, delegatë dhe përfaqësues të shoqatës iu bashkuan kësaj fushate humanitare, duke dhuruar gjak dhe duke përcjellë një mesazh të fortë solidariteti dhe mbështetjeje për fëmijët që kanë nevojë të vazhdueshme për transfuzione.

Përfaqësuesit e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan theksuan se sporti nuk përfaqëson vetëm garën dhe rezultatet, por edhe humanizmin, bashkëpunimin dhe kontributin social për komunitetin.

Kjo iniciativë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e dhurimit të gjakut, një akt jetik që mund të shpëtojë jetë dhe të japë shpresë për shumë fëmijë talasemikë.

Përmes kësaj fushate, Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan konfirmon edhe një herë angazhimin e saj jo vetëm në zhvillimin e sportit, por edhe në mbështetjen e kauzave sociale dhe humanitare në qytet.


