TIRANË, 21 maj 2026/Albania Express News/ Projekti “Porta e Alpeve” parashikon një investim prej 100 milionë eurosh për qarkun e Shkodrës dhe synon përmirësimin e infrastrukturës publike dhe zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në veri të vendit.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, bëri të ditur se projekti përfshin ndërtimin e rrugëve ndërlidhëse, përmirësimin e transportit publik dhe lidhjen infrastrukturore mes bregdetit dhe Alpeve, duke krijuar mundësi për zhvillim ekonomik dhe turistik në zonat përreth.
Karakaçi theksoi se projekti do të përmirësojë ndërlidhjen e zonave turistike dhe do të krijojë mundësi për zhvillimin e turizmit gjithëvjetor në qarkun e Shkodrës dhe rajone të tjera përreth, duke përfshirë Lezhën, Kukësin dhe Dibrën.
Ai shtoi se financimi i projektit nuk rrit borxhin publik dhe është një masë konkrete për zhvillimin e veriut të vendit.
Sipas tij, pjesa tjetër e financimit, 50 milionë euro, është angazhuar nga KfV-ja dhe faza pasardhëse e projektit është në proces miratimi.
Ministri Karakaçi theksoi se investimi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për banorët dhe vizitorët e rajonit, duke përmirësuar infrastrukturën dhe potencialin turistik të veriut të Shqipërisë.
Projekti “Porta e Alpeve”, i financuar me 100 milionë euro nga Banka Evropiane e Investimeve, tha ministri, nuk ka lidhje me “Paketën e Maleve”, që lidhet me investime private dhe projekte të tjera qeveritare.
“Ky nuk është projekt politik, por një masë konkrete për qarkun e Shkodrës dhe investime për rajonin”, deklaroi ai.
Ministri iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të deputetëve të opozitës për mungesë transparence në lidhje me projektet që do të financohen dhe efektin në borxhin e jashtëm.

