Në kuadër të promovimit të sportit të hendbollit tek fëmijët e grupmoshave U5 dhe U7, Kopshti dhe Qendra Ditore “AMICIZIA” në qytetin e Elbasanit organizoi, me mbështetjen e FSHH-së dhe shoqatës sportive “AH-ALBA”, disa lojëra zbavitëse dhe edukative për fëmijët.

Këto aktivitete kishin si qëllim njohjen e fëmijëve me njohuritë e para rreth sportit të hendbollit, duke i mësuar elementet bazë të lojës si: kapja e topit me dy duar, pasimet me një dorë, si dhe goditjet e topit drejt portës. Përmes lojës dhe argëtimit, fëmijët patën mundësinë të hedhin hapat e parë në këtë sport dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre motorike e sociale.

Në mbështetje të kësaj nisme për kopshtet dhe fëmijët e klasave të ciklit fillor U10, Federata Europiane e Hendbollit ka ndihmuar FSHH-në me bazë materiale sportive, duke dhuruar rreth 150 topa hendbolli për grupmoshat e vogla, si dhe disa porta portative të vogla për organizimin e ndeshjeve miqësore të mini-hendbollit.

Kjo iniciativë synon të afrojë fëmijët me sportin, të nxisë aktivitetin fizik dhe të krijojë një kulturë sportive që në moshë të hershme.

