Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu: Drejtësia duhet të ndihet nga qytetari, Gjykata e Lartë uli në 60% stokun në 5 vite

TIRANË, 19 MAJ 2026 /Albania Express News/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, gjatë një konference për shtyp ditën e sotme, paraqiti prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe për fazën aktuale të reformës në drejtësi.

Në deklaratën e tij, Gogu theksoi se sistemi i drejtësisë ka hyrë tashmë në “fazën e performancës”, ku qytetarët presin jo vetëm institucione të pavarura, por rezultate konkrete në jetën e tyre të përditshme.

“Pas një dekade ndërtimi institucional, drejtësia duhet të ndihet nga qytetari: te vendimi i arsyetuar në kohë, te aksesi në ndihmë juridike, te kontrata e ekzekutuar dhe te shteti që funksionon njësoj për të gjithë”, u shpreh Ministri.

Ministri prezantoi tre objektivat strategjikë të mandatit të tij: “forcimin e të drejtave të njeriut dhe garancive proceduriale; rritjen e aksesit në drejtësi; dhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë”.

Në fokus të konferencës ishte edhe ecuria e Shqipërisë në Kapitullin 23 për integrimin europian. Ministri bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka koordinuar mbi 70 institucione dhe mbi 190 ekspertë, duke dorëzuar mbi 8000 faqe dokumentacion pranë Komisionit Europian.

Sa i përket backlog-ut gjyqësor, ministri theksoi se për herë të parë sistemi ndodhet në trajektore ulëse, ndërsa Gjykata e Lartë ka ulur stokun e çështjeve me 60% krahasuar me vitin 2020.

Në konferencë Gogu prezantoi gjithashtu disa ndër prioritetet ligjore të Ministrisë së Drejtësisë.

“Rishikimi i Kodit të Procedurës Penale; modernizimi i Kodit Penal; zgjerimi i skemës së Ndihmës Juridike Falas; si dhe digjitalizimi i shërbimeve të noterisë dhe përmbarimit”, tha ai.

Lidhur me sistemin penitenciar, ministri bëri të ditur se gjatë muajve të fundit janë zhvilluar rreth 450 kontrolle dhe 74 inspektime sigurie në institucionet e vuajtjes së dënimit, me fokus forcimin e disiplinës institucionale dhe sigurisë.

Në përfundim të konferencës, Gogu deklaroi se “reforma ka bërë rrugë. Institucionet ekzistojnë. Tani duhet të ndihet, te vendimi i arsyetuar në kohë, te avokati i aksesuar, tek aseti i konfiskuar, te qytetari që e njeh drejtësinë si shërbim dhe jo si fat”.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Islands”: Korça, surpriza e Mesdheut që po sfidon Spanjën dhe Italinë

KORÇË, 19 maj 2026/Albania Express News/- Korça po përmendet...

Ronaldo synon ëndrrën e madhe të Botërorit, trajneri Martinez zbulon listën e lojtarëve të thirrur

PORTUGALI,2026/Albania Express News/Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, ka publikuar...