Nga Auron Tare
Disa ditë më parë, udhëtari i palodhur Blendi Fevziu kishte postuar një videoklip nga relikti i mbytur në Gjirin e Sarandës, anija italiane “SS Probitas”. Nuk e pashë videon, por disa miq të mi, të apasionuar pas historisë, më shkruajtën duke kërkuar më shumë informacion.
Fakti që Fevziu kishte përmendur se së bashku me anijen ishin mbytur “disa mijë ushtarë italianë” bëri përshtypje, por duhet sqaruar se kjo shifër nuk ka burim zyrtar. Në të gjitha kërkimet që kam bërë, së bashku me ekipin shqiptaro-amerikan të kërkimeve nënujore, nuk rezulton që në Gjirin e Sarandës të jenë mbytur “mijëra ushtarë”. Legjenda e “mijëra të mbyturve” qarkullon vetëm në disa faqe amatore ose gjysmëzyrtare shqiptare, që nuk kanë dëshirë të bëjnë një verifikim historik serioz.
Për këtë arsye, dua të kthehem tek videoklipi dhe, për të plotësuar rrëfimin dhe për të qetësuar dashamirësit e historisë, po ndaj më poshtë një përmbledhje të gjetjeve të kryera nga ekipi shqiptaro-amerikan i kërkimeve nënujore.
Historia e SS Probitas
Anija “SS Probitas”, e mberritur në natën e 24/25 shtatorit 1943, ishte pjesë e një grupi anijesh të dërguara për të evakuar Divizionin e Këmbësorisë “Perugia I”, i dislokuar në Gjirokastër. Ky Divizion, që përfshinte edhe zonën e Përmetit dhe Tepelenës, kishte qëndruar në kazermat e Gerhotit, ku pas bisedimeve me forcat partizane dhe ndërmjetësimit të oficerit britanik Bill Tilman, kishte pranuar të dorëzonte armët e rënda, me kusht që të hapej rruga drejt Porto Edes (Sarandës). Negociatat u zhvilluan nga koloneli Giuseppe Adami, i cili ishte prezent në incidentin e Gerhotit më 14 shtator, ku një grup i forcave nacionaliste të Ballit u vra si rezultat i mosmarrëveshjes me italianët, të cilët ishin të pasigurt për fatin e tyre.
Pas daljes së Italisë nga koalicioni me Gjermaninë më 8 shtator, forcat gjermane arritën në Tiranë, ku arrestuan komandantin e njësive alpine, Gjeneral Rosi, dhe kërkuan dorëzimin e trupave italiane në Shqipëri. Repartet italiane kërkuan nga Roma që të tërhiqeshin menjëherë, por kaosi në Itali e bëri tërheqjen shumë të vështirë.
Në krye të Divizionit “Perugia” erdhi nga Kefalonia, Gjeneral Ernesto Ciminelo, një oficer karriere me origjinë kalabreze, ish-Komandant i Divizionit Aquila. Divizion ky që do të masakrohej nga gjermanët e Divizionit të XXII Malor “Gebirsgejaeger”. Pas marrëveshjes me trupat partizane, që armët e divizionit të dorëzoheshin në Sarandë, divizioni, së bashku me njësi të tjera nga Përmeti, Tepelena dhe Këlcyra, si dhe disa reparte nga Janina, u nis drejt Sarandës.
Evakuimi dhe humbjet
Me mbërritjen në Sarandë, katër anije italiane – “SS Probitas” (anije transporti), Dubac (anije transporti), Sibilla (korvete) dhe torpedorja Sirio – arritën të evakuonin rreth 1.700 trupa nga 8.000 që kishte divizioni.
Më 25 shtator, ndërsa anijet Dubac, Sibilla dhe Sirio ishin larguar natën, “SS Probitas”, e cila nuk mundi të largohej për shkak të defektit mekanik, u bombardua nga një avion gjerman Junkers 87 (Stuka) dhe u mbyt ngadalë, afërsisht 200 metra nga porti i vjetër.
Ndërkohë që pjesa tjetër e italianëve priste në port, një njësit e vogël gjermane kishte mbërritur nga Korfuzi. Pjesë e Divizionit të XXII Malor Gebirsgejaeger, komanduar nga Gjenerali Hubert Lanz, kishin kërkuar dorëzimin e divizionit. Dëshmitë për këtë përplasje në Sarandë janë të pakta, por burimet italiane thonë se njësia prej 15 ushtarësh gjermanë u mbajt rob nga italianët deri sa të evakuohej i gjithë divizioni.
Mundet që mos-kthimi i kësaj njësie të ketë shtyrë gjermanët e vendosur në Korfuz të dërgonin një avion zbulimi dhe në datën 25 shtator, kur trupat italiane kishin hipur në anijet Dubac, Sibilla dhe Sirio dhe ishin larguar gjatë natës së 24 shtatorit, të qëllonin anijen SS Probitas.
Nga burimet shumë të pakta të këtyre ditëve nuk ka asnjë dokument zyrtar ku të konfirmohen humbjet e ushtarëve në bordin e SS Probitas. Një burim jozyrtar flet për vdekjen e 6 marinarëve në bord, ndërkohë asnjë burim i Marinës Italiane nuk flet për ushtarë të vrarë në bord.
Ndërkohë, me kthimin e avionit në Korfuz, gjermanët dërgojnë me shpejtësi një repart më të plotësuar për të çliruar njësinë e mbajtur nga italianët si dhe kapjen e robërve italianë.
Ndërkohë, me konfirmimin nga Italia se dërgimi i anijeve të tjera ishte shumë i vështirë pasi Saranda tashmë ishte nën operacionin gjerman, divizioni filloi marshimin drejt Porto Palermos si një port i mundshëm evakuimi.
Ndërkohë shtabi i mbetur në Sarandë u kap i gjithë nga trupat gjermane. Me shumë mundësi, me urdhrin e Gjeneral Hubert Lanz, oficerët e shtabit me në krye Gjeneralin Chiminelo u sollen në Limion dhe u pushkatuan duke i hedhur trupat në det. Disa burime thonë 170 oficerë të lartë, ndërkohë burime të tjera 150 vetë.
Trupat gjermane marshuan drejt Porto Palermos për të kapur pjesën e mbetur të divizionit i cili, pas një marshimi rraskapitës në Palermo, mesuan se anijet e nisura nga Saranda ishin goditur nga një njësit ajrore duke dëmtuar rëndë anijen Dubac shumë afër Otrantos dhe duke vrarë shumë ushtarë. Numri i të cilëve nuk është shumë i qartë pasi në rrëmujë nuk kishte inventar të saktë të personelit ushtarak në këto anije. Sipas një dëshmitari okular, Alessandro Minozzi, mjek i spitalit të 49 fushor të Divizionit Perugia, të vrarët mund të shkonin deri në 200 veta. Ndërkohë, anija Dubac mbeti në shkëmbinjtë e Otrantos.
Italianët e Divizionit Perugia, të rraskapitur dhe të demoralizuar dhe pa asnjë rrugë dalje në Porto Palermo, një pjesë iu dorëzuan gjermanëve të cilët i pushkatuan në hyrje të fshatit Kuç, ndërsa njësitë italiane që nuk pranuan të dorëzoheshin iu ngjitën maleve të Kurveleshit dhe arritën të shpëtonin. Një pjesë iu bashkuan forcave partizane, një pjesë u shpërndanë në familjet e fshatarëve.
“SS Probitas” u mbyt pra më 25 shtator 1943 nga një bombardim i një avioni Junker 87 gjerman ardhur nga Korfuzi. Është afërsisht 200 metra nga porti i vjetër. Banorët në periudhën komuniste kanë treguar gjithmonë histori si dëshmitarë okularë, por fatkeqësisht askush nuk i mblodhi rrëfimet e tyre.
Zhytja e parë në këtë relikt historik u bë nga një ekip zhytësish italianë në vitin 1994, të cilët nxorën nga anija disa shishe verë Chianti ende të paprekura. Si dëshmitar okular kam parë se si italianët diskutonin mbi reliktin, por edhe për verën e gjetur.
Më pas relikti është vizituar edhe nga disa grupe të tjera italiane në shoqërimin e një zhytësi shqiptar, të cilët, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të mbrojtjes së varrezave ujore, kanë nxjerrë objekte nga anija. Veprime të kryera edhe në anijen italiane “Po” në Vlorë si dhe në anijen austro-hungareze “Linz” në Kepin e Rodonit, ku kanë marrë kembanën e anijes si dhe timonin e anijes. Të dyja u dhuruan në një muze privat në Vjenë. Të gjitha këto veprime janë në kundërshtim me Konventën e UNESCO-s, të ratifikuar edhe nga Shqipëria.
Ndërkohë, 10 vitet e fundit, “SS Probitas” është përdorur si atraksion turistik nga një grup zhytësish polakë, të cilët ofronin zhytje komerciale pa asnjë licencë të shtetit shqiptar. Po kështu, disa vjet më parë, një qendër zhytjeje në Sarandë, me licencë nga Ministria e Turizmit, ofronte zhytje komerciale edhe pse kualifikimi i tyre ishte i dyshimtë. Kjo qendër, për neglizhencë të theksuar teknike, ishte shkaktarja e mbytjes së një turisteje angleze 29-vjeçare e cila kishte shkuar për zhytje në këtë relikt.
Statusi i reliktit sot
SS Probitas është një relikt historik i bukur, por i rrezikshëm për zhytës amatorë. Ekspertë profesionistë amerikanë të RPM Nautical Foundation rekomandojnë që zhytjet të kryhen vetëm nga profesionistë.
Ndërkohë, në të gjithë shëtitoren e tejmbushur të Sarandës, asnjë bashki nuk ka mundur dot të tregojë në mënyrë figurative historinë e këtij relikti mbytur vetëm 200 metra nga porti i vjetër. Po kështu, asnjë bashki nuk ka mundur të tregojë edhe histori të tjera interesante për relikte të tjera që ndodhen në Gjirin e Sarandës, duke e bërë shëtitjen në bulevard një përvojë edukative dhe argëtuese dhe jo një peripatje monotone.