Divjaka kthehet në kryeqendrën e vlerave kombëtare, ndahen çmimet “Aristidh Kola – Nderi i Kombit” për figurat më të spikatura të medias, artit dhe shkencës

NGA FATMIR POPJA & SARA TARKO

DIVJAKË,16 maj 2026/Albania Express News/Në një atmosferë festive, të mbushur me emocione, vlera kombëtare dhe krenari kulturore, qyteti i Divjakës mirëpriti këtë fundjavë edicionin e 6-të të ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola – Nderi i Kombit”, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, që vlerëson personalitete të spikatura të medias, artit , kukturës dhe shkencës shqiptare.

Organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier dhe media online Newsalbania.com, nën drejtimin e gazetarit Vladimir Muça, aktiviteti u zhvillua me mbështetjen e Bashkisë Divjakë, Shoqatës Kombëtare Kulturore “Ress Egnatia” dhe Shoqatës “Apollonia” , duke sjellë në qendër të vëmendjes figurën madhore të arvanitasit të shquar Aristidh Kola.

Bashkia e Divjakës, që konsiderohet si vendorigjina e hershme e familjes së Aristidh Kolës, u kthye për disa orë në një qendër të rëndësishme të kulturës, medias dhe historisë kombëtare. Salla e Shtëpisë së Kulturës ishte e mbushur me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, gazetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, artistë, studiues dhe figura publike, të cilët ndoqën me interes një ceremoni të organizuar me nivel të lartë profesional.

Aktiviteti u çel me interpretimin e himnit kombëtar, ndërsa moderimi iu besua gazetares së njohur Alida Lula, e cila solli një prezantim dinjitoz dhe elegant përgjatë gjithë ceremonisë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, organizatori i këtij eventi ,gazetari Vladimir Muça foli mbi rrugëtimin gjashtëvjeçar të këtij eventi, duke theksuar rëndësinë që ka ruajtja dhe promovimi i figurave që kanë kontribuar në identitetin kombëtar shqiptar. Një moment i veçantë ishte edhe njoftimi për krijimin e Shoqatës Kulturore “Aristidh Kola – Nderi i Kombit”, lajm që u prit me duartrokitje të gjata nga të pranishmit.

Për jetën dhe veprën e Aristidh Kola folën personalitete të njohura të jetës akademike dhe publike, mes të cilëve edhe  akademiku Shezai Rrokaj dhe profesori Bardhosh Gaçe.

Në fjalën e tij përshëndetëse , kryebashkiaku Josif Gorrea vlerësoi figurën e Aristidh Kolës si një nga zërat më të rëndësishëm në mbrojtje të historisë dhe identitetit shqiptar, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike kombëtare.

Një nga momentet më të komentueshme të aktivitetit ishte edhe deklarata e bërë nga kryebashkiaku për gazetarin investigativ Artan Hoxha, i cili është i penalizuar nga shteti fqinj   si “non grata i përhershëm në Greqi”, për shkak të publikimeve dhe kërkimeve të tij dhe nxjerrjen në dritë  të historisë së arvanitasve në shtetin fqinj.

Sipas studiuesve dhe referuesve në këtë aktivitet, Aristidh Kola mbetet një figurë emblematike e botës shqiptare, pasi përmes studimeve të tij solli në dritë historinë, etnografinë, gjuhën, folklorin dhe të drejtën zakonore të arvanitasve, duke u kthyer në një simbol të identitetit dhe memories historike shqiptare.

Ceremonia e zhvilluar këtë të shtunë në Divjakë nuk ishte vetëm një aktivitet institucional dhe kulturor, por edhe një spektakël i mirëfilltë artistik. Atmosfera që e shoqëroi zhvillimin e eventit u pasurua nga këngë dhe valle tradicionale të interpretuara nga grupet artistike të fëmijëve të Shtëpisë së Kulturës në Divjakë, ku spikati talentja 8 vjeçe  , Marlind Janko , e cila rrëmbeu duartrokitjet e publikut me interpretimin e saj.

Në pjën përmbyllëse të këtij eventi juria profesioniste e përbërë nga gazetarët Anila Hoxha, Besim Dybeli dhe Ilir Krasniqi përzgjodhi për çmimin vjetor “Aristidh Kola – Nderi i Kombit” disa nga figurat më të njohura të gazetarisë, artit dhe akademisë shqiptare.

Mes të vlerësuarve ishin:

  • Bardhosh Gaçe, pedagog në Universitetin e Vlorës
  • Valbona Davidhi, gazetare në Qarkun Fier
  • Artan Hoxha, gazetar investigativ
  • Silvana Braçe, moderatore dhe prezantuese spektaklesh televizive
  • Filip Çakulli,drejtues i emisionit investigativ “Fiks Fare”, Tch
  • Luftar Paja,Aktor
  • Engjell Serjanji,gazetar në Qarkun Gjirokastër

Të vlerësuarit u shprehën të emocionuar dhe krenarë për marrjen e një çmimi që mban emrin e një prej studiuesve më të guximshëm të çështjes shqiptare, i cili ia kushtoi jetën hulumtimeve mbi origjinën dhe historinë e arvanitasve.

Pas ceremonisë, aktiviteti vijoi me një drekë pune të organizuar nga kryetari i Bashkisë Divjakë Josif Gorrea, ku u diskutua për projektet që lidhen me përjetësimin e figurës së Aristidh Kola. Mes ideve të prezantuara ishte emërtimi i një rruge me emrin e tij, vendosja e bustit në qendër të qytetit si dhe krijimi i një fondi të përvitshëm për organizimin e aktiviteteve përkujtimore në nder të tij.

Gazetarët dhe të ftuarit patën gjithashtu mundësinë të vizitonin mrekullitë natyrore të Laguna e Karavastasë, lagunës më të madhe në Shqipëri dhe një prej më të rëndësishmeve në Adriatik. Ata u njohën nga afër me pasurinë e florës dhe faunës së zonës, si dhe me masivin pyjor të bregdetit, duke e kthyer këtë event jo vetëm në një festë të kulturës dhe medias, por edhe në një promovim të rëndësishëm të turizmit dhe trashëgimisë natyrore të Divjakës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Regjistrimi fillestar, drejt përfundimit procesi në 108 fshatra nga Elbasani në Vermosh

ELBASAN,16 maj 2026/Albania Express News/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës...

Tmerr në aeroportin e Splitit në Kroaci/ Avioni me 135 persona në bord del nga pista me 240 km/h, shmanget tragjedia

KROACI,16 maj 2026/Albania Express News/Një Airbus A220-300 i “Croatia...

Alis drithëron sërish skenën me këngën “Nan”, artisti shqiptar dhuron performancën emocionuese në finalen e “Eurovision 2026”

EUROVISION,16 maj 2026/Albania Express News/Alisi ka dhuruar një performancë...

Zgjedhjet për kreun e PD/ Berisha ka 1 javë në dispozicion për fushatë, votat numërohen në qendrat e votimit. Zbardhet udhëzimi

TIRANË,16 maj 2026/Albania Express News/Edhe pse Partia Demokratike zhvillon...