Nga Imer Hysa
KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e Kurbinit” po njeh një periudhë të artë suksesi, duke u kthyer në një nga përfaqësuesit më dinjitozë të folklorit shqiptar në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare. Me performanca mbresëlënëse, pjesëmarrje në festivale prestigjioze dhe vlerësime maksimale nga juritë artistike, ansambli po ngjit çdo ditë e më shumë shkallët e suksesit.
Pas një prezantimi dinjitoz në emisionin “E Diell” në Top Channel, ku tradita dhe vlerat artistike të “Gurrës së Kurbinit” u përcollën me emocion dhe profesionalizëm, ansambli vijoi turin e sukseseve me performanca të vlerësuara në Lezhë, Mirditë dhe Prishtinë.
Një tjetër moment kulmor ishte pjesëmarrja në Festivalin e Lojërave dhe Riteve Popullore në Burrel, ku për dy net me radhë artistët kurbinas sollën në skenë këngë, valle, rite dhe lojëra popullore tradicionale. Në përfundim të festivalit, grupi i vajzave së bashku me këngëtaret Dhurata Aliaj dhe Gjelina Gjegji u nderuan me çmimin e parë nga juria, duke konfirmuar nivelin e lartë artistik të ansamblit.
Suksesi vijoi edhe në Kosovë, në festivalin “Anadrinia Jehon”, organizuar nga Komuna e Rahovecit nën kujdesin e kryetarit Smajl Latifi dhe zhvilluar në fshatin Dejnë. Në këtë festival me pjesëmarrje të gjerë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, “Gurra e Kurbinit” u paraqit me një performancë të jashtëzakonshme, duke pushtuar zemrat e spektatorëve dhe duke fituar çmimin e parë mes 15 grupeve folklorike pjesëmarrëse.
Ansambli po kristalizohet çdo ditë si një forcë e rëndësishme artistike falë punës së palodhur të drejtuesve dhe artistëve të tij. Kontribut të veçantë kanë dhënë drejtuesit e orkestrës Altin Tomaj, Edi Balili dhe Pjetër Nimanaj, si dhe këngëtarët e njohur të folkut shqiptar Dhurata Aliaj dhe Kurt Lika. Po ashtu, pjesë e këtij suksesi janë edhe artistët Mide Aliu, Halil Aliaj, Pjetër Matusha, Agustin Ceka, Vjollca Greca, Gjelina Gjegji, Kristina Ndoja, Leze Rrika, Mira Aliu, Egla Murati, Marko Hoti dhe dhjetëra instrumentistë e valltarë të talentuar.
Një rol të rëndësishëm në ngritjen artistike të ansamblit kanë luajtur koreografët Ermal Lushaj dhe Uesli Alushi, skenografja Egla Murati, si dhe organizatori dhe drejtuesi i apasionuar Lad Cara, i cili konsiderohet si një nga shtyllat kryesore të këtij rrugëtimi të suksesshëm.
Mbështetja institucionale ka qenë gjithashtu vendimtare. Një vlerësim i veçantë i dedikohet kryetares së Bashkia Kurbin, Majlinda Cara, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj artit dhe kulturës në zonë, duke i dhënë një frymë të re aktiviteteve artistike dhe kulturore në Kurbin.
Arritjet e “Gurrës së Kurbinit” gjatë këtyre muajve të parë të vitit janë jo vetëm një urë lidhëse mes traditës dhe publikut, por edhe një dëshmi se folklori shqiptar vazhdon të mbetet gjallë, krenari dhe identitet kombëtar në çdo skenë ku prezantohet.


