CERRIK , 12 maj 2026 /Albania Express News/ Në shkollën profesionale bujqësore “Mihal Shahini” në Cërrik u prezantua projekti “Qendra e Ekselencës Bujqësore”, i realizuar në bashkëpunim me ekipin izraelit të Agjencisë Izraelite për Zhvillim, (MASHAV), një nismë që synon të shndërrojë institucionin në një qendër moderne edukimi, trajnimi dhe inovacioni për nxënësit dhe fermerët.
Në aktivitet mori pjesë ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla, i cili vlerësoi projektin si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit bujqësor dhe forcimit të lidhjes mes arsimit profesional dhe praktikës në terren.
“Ky projekt i shërben jo vetëm studentëve dhe pedagogëve, por edhe fermerëve të zonës, duke sjellë teknologji dhe inovacion në bujqësi”, u shpreh Salla, duke theksuar se qeveria po vijon investimet në ujitje-kullim, teknologji moderne dhe dixhitalizim të shërbimeve për fermerët.
Ai nënvizoi gjithashtu se shumë shpejt do të vihet në funksion një paketë e re dixhitalizimi për bujqësinë, e cila do t’u mundësojë fermerëve akses në kohë reale përmes aplikacioneve dhe sensorëve inteligjentë, duke përmirësuar vendimmarrjen për vaditje, plehërim dhe menaxhim të prodhimit.
Salla shtoi se po zgjerohet mbështetja financiare për sektorin, përfshirë garancinë sovrane dhe instrumente të tjera mbështetëse për fermerët, ndërsa theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me njësitë e vetëqeverisjes vendore për zhvillimin e zinxhirit të grumbullimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore.
Projekti në Cërrik përfshin sera moderne, pajisje të avancuara dhe sisteme të automatizuara të ujitjes, duke synuar të shërbejë si model demonstrues për bujqësinë shqiptare dhe si qendër reference për trajnimin e fermerëve dhe të rinjve në të gjithë vendin.
Salla tha se , “kjo nismë përbën një tjetër hap në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe forcimit të partneritetit me Izraelin në fushën e inovacionit dhe zhvillimit rural”.

