ELBASAN,11 maj 2026/Albania Express News/Deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Adi Qose, ka ngritur publikisht shqetësimin për nevojën e zgjerimit të shërbimit të checkup-it falas edhe për pensionistët mbi moshën 70-vjeçare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri sociale dhe shëndetësore për një nga kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, deputeti thekson se të moshuarit janë më të ekspozuar ndaj problemeve shëndetësore dhe se përfshirja e tyre në skemën e kontrollit periodik falas duhet të jetë prioritet i institucioneve përgjegjëse dhe i Parlamentit shqiptar. Sipas tij, kjo kategori ka më shumë nevojë për kujdes të vazhdueshëm mjekësor, diagnostikim të hershëm dhe monitorim të rregullt të gjendjes shëndetësore.
Qose nënvizon se parandalimi mbetet një nga armët më të forta në sistemin shëndetësor, pasi kontrolli periodik ndihmon në evidentimin në kohë të sëmundjeve kronike apo problematikave të tjera që prekin moshën e tretë. Ai shprehet se një politikë e tillë jo vetëm që do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së pensionistëve, por gjithashtu do të ulte ndjeshëm kostot financiare për familjet shqiptare që përballen çdo ditë me shpenzime të larta për kujdesin shëndetësor.
Në reagimin e tij, deputeti socialist apelon që zgjerimi i fashës së përfituesve të checkup-it falas të adresohet sa më parë në Kuvend, duke e konsideruar atë një të drejtë legjitime për qytetarët që kanë kontribuar ndër vite për vendin dhe që sot kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe vëmendje institucionale.
Mesazhi i Adi Qose është pritur me interes edhe nga qytetarë e pensionistë, të cilët prej kohësh kanë kërkuar zgjerimin e këtij shërbimi për moshat e treta, në mënyrë që të kenë akses më të lehtë dhe falas në kontrollet bazë shëndetësore.
Në fund të reagimit të tij, deputeti rikujton rëndësinë e investimit te shëndeti publik dhe kujdesi ndaj të moshuarve, duke theksuar se “parandalimi dhe kontrolli periodik shpëtojnë jetë” dhe se shoqëria duhet të tregojë më shumë solidaritet dhe përgjegjësi ndaj brezit që sot ka më shumë nevojë për mbështetje.


