TIRANË,6 maj 2026/Albania Express News/Një vendim i pazakontë i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), i cili e cilëson rastin si një precedent që kërkon vëmendje të veçantë për ndikimin e tij në lirinë e shprehjes.
Sipas njoftimit zyrtar të UGSH, më 24 prill 2026, gjykata ka marrë në shqyrtim, në dhomë këshillimi dhe pa praninë e palëve, një çështje civile me paditës shtetasin Dionis Teqja dhe disa media e gazetarë të njohur si të paditur. Vendimi ka parashikuar jo vetëm fshirjen e publikimeve të konsideruara shpifëse, por edhe penalitete financiare të konsiderueshme që arrijnë deri në 500 mijë euro.
UGSH thekson se ky është rasti i parë i këtij lloji në vend, ku për publikime mediatike vendosen masa kaq të rënda financiare, duke ngritur shqetësime serioze për precedentët që mund të krijohen në të ardhmen. Organizata ka bërë të ditur se i është drejtuar menjëherë një zyre asistence juridike për një analizë të thelluar të vendimit.
Në reagimin e saj, UGSH shpreh rezervat për mënyrën e marrjes së vendimit, duke theksuar se shqyrtimi pa praninë e palëve dhe detyrimi për fshirjen e materialeve cenon sovranitetin editorial dhe të drejtën e mediave për të publikuar.
Gjithashtu, organizata vë në dukje se masa e penalitetit ndaj njërit prej gazetarëve përbën një rekord në praktikën shqiptare për raste të tilla, duke e bërë këtë çështje edhe më të ndjeshme.
Në përfundim, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u ka bërë thirrje institucioneve europiane, përfshirë zyrat juridike të KE dhe BE, si dhe organizatave të gazetarëve në Europë, që të ofrojnë asistencë dhe ekspertizë për një vlerësim të pavarur ligjor të këtij vendimi, në funksion të mbrojtjes së lirisë së shprehjes në vend.

