TIRANË, 6 maj 2026 /Albania Express News/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë në Degën 5 në Tiranë, në kuadër të turit “Foltorja”.
Në fjalën e tij Berisha deklaroi se protestat e organizuara nga opozita kanë pasur ndikim të gjerë, duke i cilësuar ato si një zë të rëndësishëm të Shqipërisë brenda dhe jashtë vendit.
“Jemi në prag të një proteste jashtëzakonisht të rëndësishme. Jemi të lodhur, po, por këto protesta u bënë zëri i Shqipërisë në mbarë kombin dhe në mbarë botën”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, nëse opozita nuk do të kishte qëndruar aktive, situata politike në vend do të kishte marrë një drejtim tjetër.
“Në qoftë se ne nuk do kishim qëndruar, sot nuk do ishim opozitë. Pushteti absolut i Edi Ramës do të mbillte terror në të katër anët e vendit”, deklaroi ai.
Berisha u shpreh se gjatë qeverisjes së tij iu hoq imuniteti parlamentar disa ministrave, duke përmendur rastet e Ilir Metës dhe Lulzim Bashës.
“Imuniteti i është hequr dy herë ish-kryetarit të partisë, Lulzim Basha, në atë kohë ishte ministër. Iu është hequr ministrave të tjerë. Nuk na ka shkuar kurrë në mendje që të mos heqim imunitet ministrash. Jo. Dhe atë, pavarësisht nga çmimi që do paguante, drejtësia do bëhej”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu vlerësoi mbështetësit e opozitës, duke i cilësuar ata si një faktor kyç në atë që ai e quajti “mbrojtje e dinjitetit politik dhe qytetar në vend”.
“Ju jeni zëri më i fuqishëm që ka pasur Shqipëria, avoketërit më të pamposhtur të dinjitetit kombëtar”, përfundoi ai.

