Policia Rrugore e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset kryesore dhe zonat urbane të qytetit, në zbatim të urdhrave dhe planeve të masave të Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ky aksion i zgjeruar synon rritjen e sigurisë rrugore, parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin më efikas të fluksit të automjeteve.
Përmes grupeve të posaçme të kontrollit dhe pikave të monitorimit të shpërndara në terren, efektivët po përdorin teknologji bashkëkohore si dronë, radarë dhe pajisje inteligjente për të evidentuar dhe ndëshkuar shkeljet e Kodit Rrugor. Në fokus të kontrolleve janë shkelje që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e përdoruesve të rrugës, si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, si dhe mosvendosja e kaskës mbrojtëse apo e jelekëve reflektues.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe parkimeve të gabuara dhe parkimeve dyshe në zonat urbane, të cilat shpesh krijojnë bllokime dhe vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve dhe lëvizjen e qytetarëve.
Strukturat e Policisë Rrugore mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar një qarkullim të sigurt dhe të qetë, si në qytet ashtu edhe në akset nacionale që lidhin Elbasanin me qytetet e tjera. Qëllimi kryesor i këtyre masave është krijimi i një kulture më të lartë rrugore dhe reduktimi i incidenteve në rrugë.
Njëkohësisht, Policia Rrugore Elbasan u bën thirrje qytetarëve që të verifikojnë në platformën e-Albania masat administrative të vendosura ndaj tyre dhe të kryejnë pagesat brenda afateve ligjore.

Autoritetet apelojnë për respektim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon bashkëpunimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve.

