Një thirrje për 100-vjetorin e notit durrsak dhe një foto që flet sa një histori e tërë

Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”

…Sepse pas tre vitesh, kur të vijë 24 shtatori i vitit 2029, Durrësi duhet të dijë të përkulet me respekt përpara një shekulli historie të notit të tij…

Ka fotografi që mbeten thjesht kujtime. Por ka edhe të tjera që shndërrohen në dokumente historie, në albume emocionesh dhe në dëshmi krenarie qytetare. Kjo pamje e 24 shtatorit 2005 është pikërisht e tillë.

E realizuar 21 vite më parë, në 76-vjetorin e notit durrsak, ajo fikson 61 persona – sportistë, trajnerë, drejtues dhe dashamirës të sporteve të ujit. Një brez i tërë njerëzish që i dhanë emër, dinjitet dhe lavdi qytetit bregdetar përmes notit dhe vaterpolit.

Në vitin 1929 u hodhën themelet e notit durrsak. Sot jemi në pragun e 97-vjetorit dhe vetëm tre vite na ndajnë nga data historike e 24 shtatorit 2029, kur Durrësi do të kremtojë 100-vjetorin e një prej traditave më të bukura sportive shqiptare.

Dhe ndoshta nuk ka hyrje më të bukur për këtë jubile sesa kjo fotografi.

Mjafton ta sodisësh me vëmendje për të kuptuar se aty nuk janë thjesht njerëz të rreshtuar për një kujtim. Aty është vetë memoria sportive e Durrësit: dekada sakrificash, garash, emocionesh, fitoreje, stërvitjesh në orët e para të mëngjesit, udhëtimesh, entuziazmi rinor dhe dashurie të pakushtëzuar për detin.

Në këtë foto shfaqen emra që kanë hyrë prej kohësh në historinë e sportit shqiptar. Në qendër të kujtesës qëndron madhështori Dhimitraq Goga, një personalitet që nuk i përkiste vetëm një sporti, por gjithë jetës sportive të Durrësit. Prania e tij i jepte kësaj veprimtarie një peshë të veçantë morale dhe qytetare.

Aty janë gjithashtu figura të shquara të sporteve të ujit si Niko Kurani, Koçi Afezolli, Agron Ismailati, Sabri Kapexhiu, Hysen Sharra, Arben Jorgoni, Eqerem Korra, Xhevdet Mitraku, Shyqyri Rexha, Fatmir Murati, Agron Kallaku, Syrja Kapexhiu, Josif Koçi dhe i jashtëzakonshmi Mirban Kadiu. Shumë prej tyre nuk jetojnë më.

Por kjo fotografi i ka bërë të përjetshëm.

Ata na shohin nga kjo pamje me qetësinë e njerëzve që e kanë përmbushur misionin e tyre. Na kanë lënë kujtime të çmuara, histori të pathëna dhe një trashëgimi që nuk duhet të humbasë kurrë.

Në këtë foto janë edhe emra të respektuar të qytetarisë durrsake si Halil Myderrizi, Shpëtim Metani, Kolec Shuli, Aleksandër Gjiri, Fisnik Tartari dhe Sotir Afezolli, të cilët gjithashtu janë ndarë nga jeta, duke lënë pas respekt dhe mall.

Ndërsa koha vazhdon rrugëtimin e saj, në këtë foto janë fiksuar edhe figura që vijojnë të mbajnë gjallë kujtesën sportive të notit, si Hysen Haxhia, Jani Kurti, Luan Rexha, Gjon Luli, Sadik Mema, Dashamir Janina dhe 96-vjeçari Zyhdi Mara — një urë e gjallë lidhëse mes brezave.

Kjo fotografi nuk është vetëm nostalgji. Ajo është një thirrje.

Një thirrje që 100-vjetori i notit durrsak, më 24 shtator 2029, të mos kalojë thjesht si një datë kalendarike, por të shndërrohet në një festim madhështor, dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.

Durrësi e meriton. E meriton historia e tij sportive. E meritojnë kampionët, trajnerët, ata që nuk jetojnë më dhe ata që vazhdojnë të mbajnë gjallë këtë kujtesë.

Duhet shkruar më shumë për notin durrsak — shumë më tepër nga sa është bërë deri tani. Duhet mbledhur dokumentacioni, fotografitë, dëshmitë, rezultatet, emrat, emocionet dhe historitë njerëzore.

Sepse sportet e ujit në Durrës nuk kanë qenë vetëm gara. Kanë qenë dhe mbeten kulturë qytetare, edukim, krenari dhe identitet.

Kjo foto e 24 shtatorit 2005 le të shërbejë si një hyrje kujtese për jubileun e madh që po afron.

Sepse pas tre vitesh, kur të vijë 24 shtatori i vitit 2029, Durrësi duhet të dijë të përkulet me respekt përpara një shekulli historie të notit të tij.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Mbi një orë bisedë telefonike mes Trump dhe Putin, çfarë diskutuan liderët e dy vendeve?

Presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se ka diskutuar...

Aksident në aksin Tepelenë-Krahës, 8 persona të lënduar

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të...