ELBASAN,29 prill 2026/Albania Ekspress News/Fakulteti i Biznesit dhe i Drejtësisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan ka përmbyllur me sukses punimet e Konferencës së 13-të Shkencore Ndërkombëtare, duke e kthyer qytetin e Elbasanit në një qendër të rëndësishme të debatit akademik rajonal dhe më gjerë. Nën temën “Rritja e Qëndrueshme, Inovacioni Digjital dhe Dinamika e Tregut ,Ura mes Biznesit dhe Ligjit”, aktiviteti mblodhi mbi 110 autorë nga Shqipëria, rajoni dhe vende si Britania e Madhe, Bullgaria dhe Turqia, të cilët prezantuan rreth 70 punime shkencore.
Ky event, tashmë një traditë 13-vjeçare, dëshmoi jo vetëm rritjen e interesit për kërkimin shkencor në fushat e biznesit dhe drejtësisë, por edhe rëndësinë e ndërthurjes së tyre në një epokë transformimesh të shpejta teknologjike dhe ekonomike. Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi i qëndrueshëm, transformimi digjital dhe dinamika gjithnjë në ndryshim e tregjeve globale.
Rektorja e universitetit, Elvira Fetahu, e cilësoi konferencën si një platformë të konsoliduar që ndër vite ka ndërtuar ura të forta bashkëpunimi mes akademisë dhe praktikës. Ajo theksoi se universiteti po avancon drejt ndërkombëtarizimit përmes programeve në gjuhën angleze dhe rritjes së cilësisë së kërkimit shkencor, duke e pozicionuar institucionin në një nivel gjithnjë e më konkurrues.
Një nga momentet më të veçanta të konferencës ishte sesioni special i organizuar nga RIC Albania, i fokusuar në inovacionin në sektorin e mineraleve. Ky sesion konfirmoi rolin e platformave të tilla si ura lidhëse mes kërkimit akademik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke nxitur ide konkrete për politika dhe investime në sektorë strategjikë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Dekani i Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë,Prof .Asc.Dr Shpëtim Çerri, e cilësoi konferencën si një hapësirë të domosdoshme dialogu në një kohë kur sfidat globale kërkojnë qasje të integruara. Ai theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të trajtohet më i izoluar, por kërkon ndërthurjen e inovacionit teknologjik, praktikave të përgjegjshme të biznesit dhe një kuadri ligjor të qëndrueshëm.
Sipas tij, transformimi digjital po riformëson industrinë dhe tregjet, duke sfiduar modelet tradicionale rregullatore, ndërsa inteligjenca artificiale po shfaqet si një nga forcat më të fuqishme, por edhe më sfiduese të kohës sonë. “AI po hap horizonte të reja për kërkimin shkencor, duke përshpejtuar analizën e të dhënave dhe proceset kërkimore, por njëkohësisht ngre pikëpyetje mbi autorësinë, origjinalitetin dhe integritetin akademik”, u shpreh ai.
Konferenca u zhvillua në disa sesione tematike, ku u trajtuan çështje kyçe si qeverisja mjedisore dhe ekonomia e gjelbër, transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale, integrimi evropian dhe harmonizimi ligjor, si dhe sfidat sociale të zhvillimit ekonomik. Diversiteti i perspektivave dhe pjesëmarrja ndërkombëtare e bënë këtë aktivitet një forum të rëndësishëm për shkëmbimin e ideve dhe për ndërtimin e bashkëpunimeve të reja akademike.
Në fund, u vlerësua kontributi i komitetit organizativ, partnerëve dhe të gjithë studiuesve pjesëmarrës, ndërsa një falënderim i veçantë iu drejtua edhe drejtueses së RIC Albania, znj. Ledi Moisiu, për mbështetjen dhe angazhimin në këtë platformë.
Konferenca e 13-të Shkencore Ndërkombëtare konfirmoi edhe një herë rolin e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” si një qendër e rëndësishme e dijes dhe inovacionit, duke forcuar lidhjet mes akademisë, biznesit dhe ligjit në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.


