Arsenal kthehet te fitorja në Premier League angleze. Topcinjtë e Londrës mposhtën në ndeshjen e javës së 34 Neëcastle me rezultatin 1-0 duke kthyer diferencën prej 3 pikësh me Manchester City të vetëm në krye të klasifikimit.
Newcastle ka një qasje më të mirë në fillimin e ndeshjes duke u shfaqur të rrezikshëm, por në minutën e 9 u ndëshkua; edhe këtë radhë falë skemës së goditjeve të këndit ku Eze u çlirua mirë dhe me një gjuajtje të fortë dhe perfekte e dërgoi topin në rrjetë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së Mikel Artetës.
Magpies u përpoq t’i përgjigjej me Willock, por ky i fundit nuk kishte saktësinë e duhur. Në krahun tjetër, Arsenali e kishte kontrollin e lojës dhe madje iu afrua edhe golit të dytë,, ndërkohë që humbi edhe shërbimin e Havertz për shkak dëmtimi dhe vendin e tij e mori Gyokeres.
Në pjesën e dytë gjërat nuk ndryshuan me të besuarit e Mikel Artetës që ruajtën energjitë e tyre në kuadër të ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve ndaj Atletico Madrid e megjithatë iu afruan sërish golit të dytë. Odegaard iu afrua golit për Arsenalin, ndërkohë që Newcastle shpërdoroi mundësi për barazimin e rezultatit me Wissa dhe Barnes. Në fund sfida u mbyll 1-0 për Arsenalin që shkon në 73 pikë, 3 më shumë se Manchester City dhe më një ndeshje më shumë, ndërsa Neëcastle mbetet me 42 pikë në vendin e 14.

