TIRANË, 21 prill 2026/Albania Ekspres News /- Në një periudhë kur aeroportet evropiane po shtrëngojnë gjithnjë e më shumë kontrollet dhe po përballen me radhë të gjata për shkak të sistemeve të reja të sigurisë, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po veçohet si një shembull krejt ndryshe.
Përvoja e shpejtë dhe e thjeshtuar e kalimit të pasagjerëve, e mbështetur nga teknologjitë më të avancuara dhe procedurat inteligjente të kontrollit, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN, duke e vendosur Tiranën në hartën e praktikave më efikase të udhëtimit ajror në rajon.
Këtë e ka theksuar edhe gazetari i njohur i turizmit Simon Calder, i cili në një paraqitje në CNN ka ndarë eksperiencën e tij të shpejtë dhe të lehtë gjatë kalimit në Rinas.
Verifikimi i identitetit përmes teknologjisë së biometrikës së fytyrës, pasaportave dhe skanimeve të gjurmëve të gishtërinjve është kthyer në standard në shumë vende, duke synuar të krijojë atë që përshkruhet si skema më e sigurt e kufirit digjital në botë.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka kaluar një transformim të rëndësishëm, me fokus në rritjen e sigurisë përmes teknologjisë së avancuar, pa dëmtuar përvojën e pasagjerëve.
Investimet në këtë sektor kapin miliona euro dhe përfshijnë sisteme moderne skanimi, si tomografia kompjuterike (CT), që mundëson analizë 3D të bagazheve dhe identifikim të shpejtë të rreziqeve, duke reduktuar kontrollet manuale.
Falë këtij modernizimi, procesi i sigurisë është përshpejtuar ndjeshëm, duke e bërë kalimin më të thjeshtë dhe duke ulur kohën e pritjes edhe në periudhat me fluks të lartë. Pasagjerët nuk kanë më nevojë të nxjerrin pajisjet elektronike apo lëngjet nga bagazhet e dorës, duke e bërë eksperiencën më efikase dhe më të qetë.
Më poshtë vijon intervista midis gazetarit dhe ekspertit të udhëtimeve Simon Calder dhe prezantuesit të CNN, Richard Quest:
Calder: “Britania e Madhe ishte pjesë e procesit të vendimmarrjes, më shumë se një dekadë më parë. Ata thjesht duan të kontrollojnë hyrjen. Në terma evropianë, kjo do të thotë se duhet të jemi absolutisht të sigurt që ky është Richard Quest që po kalon nëpër portat tona. Duhet ta verifikojmë përmes biometrisë së fytyrës, pasaportës dhe gjurmëve të gishtërinjve në sistem, për të pasur atë që ata e quajnë skema më e sigurt e kufijve digjitalë në botë.”
Ndërsa ky model po sjell procedura më të gjata dhe radhë në shumë aeroporte evropiane, përvoja e tij në Shqipëri, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ishte krejt ndryshe.
Calder: “Ndërkohë, pjesë të tjera të botës nuk janë kaq të rrepta. Për shembull, sapo u ktheva nga Tirana, një aeroport i mrekullueshëm, ku më mori vetëm pesë sekonda për të kaluar, sepse ka tabela të mëdha që thonë: ‘Jeni evropian? Jeni britanik? Jeni amerikan? Kaloni këtu, vendosni pasaportën dhe ne do ta verifikojmë dhe do t’ju lejojmë të kaloni.’”
Gjatë bisedës, Calder dhe Quest sollën edhe një kujtim nga e kaluara:
Quest: “A nuk kemi qenë unë dhe ti në Tiranë?”
Calder: “Po, në mars të vitit 1989. Ti ishe 3 vjeç dhe unë 7 vjeç në atë kohë.”
Ata kujtuan gjithashtu se udhëtimi ishte në një periudhë të veçantë historike, kur vizitorët e huaj lejoheshin të hynin për shkak të një ndeshjeje futbolli mes Shqipërisë dhe Anglisë, në një nga ditët e fundit të regjimit të atëhershëm.
Calder: “Po, ne hymë si anëtarë të klubit të tifozëve të Crawley Town,” shtoi ai me humor.

