Zbulim i rëndësishëm përgjatë Rrugës Egnatia në Librazhd: Gjurmë të një kishe paleokristiane dhe shtresa historike që shtrihen në shekuj

NGA ADRIATIK KURTI ,Inxhinier Gjeomjedisi

Një zbulim me potencial të jashtëzakonshëm historik dhe turistik është evidentuar këtë të diel përgjatë segmentit të Rruga Egnatia që përshkon fshatrat e Njësisë Administrative Polis dhe vijon drejt Babjes, Spatharit, Dardhës e Xhyrës, në territorin e Bashkisë Librazhd. Gjatë një guide turistike të ndërthurur me elementë të një ekspedite arkeologjike, një grup specialistësh ka identifikuar gjurmë të qarta të një zone me vlera të larta arkeologjike, që dyshohet të datojë në periudhën paleokristiane.

Sipas inxhinierit të gjeomjedisit, Adriatik Kurti, gjithçka nisi nga një sinjalizim i thjeshtë i një banori të zonës, i cili iu referua një vendi të njohur tradicionalisht si “Kisha” dhe “Kalaja”. Kjo dëshmi gojore çoi grupin drejt një terreni që rezulton të mbajë shtresa të shumta historike, duke e kthyer atë në një pikë me rëndësi të veçantë për studimet arkeologjike.

Të dhënat paraprake sugjerojnë se në këtë vend ka ekzistuar fillimisht një kishë paleokristiane, mbi të cilën më vonë është ndërtuar një kullë e periudhës osmane. Kjo kullë, sipas burimeve dhe analizës së toponimisë “Derven”, ka shërbyer si pikë vrojtimi dhe taksimi përgjatë rrugës antike. Më pas, në të njëjtin themel, gjatë periudhës së regjimit komunist është ndërtuar një bunker, i cili sot është i rrënuar, duke nxjerrë në sipërfaqe materiale të shumta arkeologjike.

Screenshot

Zbulimi i fragmenteve të ndryshme qeramike ka shtuar interesin e specialistëve. Sipas vëzhgimeve në terren, këto materiale i përkasin periudhave të ndryshme historike, duke dëshmuar për një vazhdimësi të jetës dhe funksionit të këtij vendi në shekuj.

Në një prononcim për këtë gjetje, Ols Lafe, profesor dhe doktor i arkeologjisë, u shpreh se:
“Është e sigurt që këtu kemi të bëjmë me një pikë të fortë arkeologjike që, duke iu referuar tipologjisë së qeramikës dhe toponimit, me shumë gjasa përfaqëson rrënojat e një kishe të antikitetit të vonë.”

Ky zbulim konsiderohet si një mundësi e artë për të rritur vëmendjen ndaj kësaj pjese të Rruga Egnatia, një nga arteriet më të rëndësishme të antikitetit që lidhte Perandorinë Romake nga perëndimi në lindje. Specialistët theksojnë se promovimi dhe studimi i mëtejshëm i kësaj zone mund ta kthejë atë në një destinacion të rëndësishëm për turizmin kulturor dhe historik në Shqipëri.

Ndërkohë, apeli i ekspertëve është i qartë: nevojitet ndërhyrje institucionale për të kryer gërmime të mirëfillta arkeologjike, për të dokumentuar dhe mbrojtur këtë pasuri të re që mund të shtojë një kapitull të ri në historinë e trashëgimisë sonë kombëtare.

Ky zhvillim jo vetëm që hedh dritë mbi të kaluarën e pasur të zonës së Librazhdit, por njëkohësisht shërben si një thirrje për të investuar më shumë në ruajtjen dhe promovimin e thesareve të fshehura që Shqipëria vijon të zbulojë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fundjava e legjionarëve, tre futbollistë kuqezinj lënë shenjë me gol dhe asiste

Kjo fundjavë ishte shumë aktive sa i përket futbollit,...

BE-ja bën “paqe” me Hungarinë, Komisioni Europian flet për bisedime jashtëzakonisht konstruktive me “qeverinë e re”

BE-ja i vlerëson si “jashtëzakonisht konstruktive” bisedimet me atë...

Paditi Alesia Balliun për “shpifje”, gjykata nxjerr bllof dhe rrëzon deputetin Himçi!

Gjykata e Shkallës Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë ka...