TIRANË, 19 prill 2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot në rubrikën “Shënimet e javës” në Podkastin “FLASIM”, tek ngjarja e zjarrit në një pallat në Tiranë, duke theksuar reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe masat për banorët e prekur.
“Gjatë kësaj jave pati një moment që, për hir të së vërtetës, fillimisht ishte rrëqethës për shkak se flakët që përfshinë një pallat në Tiranë u duk se mund të kërcënonin seriozisht jetët e banorëve, por, për fat të mirë dhe falë përpjekjes dhe punës realisht profesionale, por mbi të gjitha heroike të forcave të zjarrfikësve, gjithçka kaloi pa asnjë jetë të humbur dhe pa plagë të rënda”, tha Rama.
Ai vlerësoi ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse dhe forcave të rendit, që sipas tij shmangën një tragjedi.
“Çka mbeti pas zjarrit ishte shkrumbimi i asaj godine, për të cilën u vumë menjëherë në lëvizje dhe gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është që godina do të rindërtohet tërësisht nga e para, 100% nga vetë ndërtuesi i saj”, theksoi Rama.
Rama theksoi gjithashtu se qeveria dhe pushteti vendor do të mbështesin banorët deri në rikthimin e tyre në banesa.
“Angazhimi është për të ndihmuar banorët që, deri në momentin kur ata do të kthehen në shtëpi, të mund të kenë një bonus qiraje dhe, patjetër, edhe një mbështetje nga bashkia për të lehtësuar barrën e krijuar nga dëmet e pariparueshme që kanë ndodhur në banesat e tyre”, tha Rama.
Duke komentuar reagimet publike pas ngjarjes, kreu i qeverisë u shpreh kritik ndaj spekulimeve.
“Në këto raste shfaqen menjëherë lloj-lloj gjithologësh dhe ekspertësh publikë pa njohuritë e nevojshme, por e vërteta është që kjo ishte një fatkeqësi e shkaktuar nga një shkëndijë, që nuk ka lidhje në vetvete me ndërtimin”, tha Rama.
Ai shtoi se verifikimet paraprake tregojnë për përdorim materialesh të certifikuara në ndërtim, ndërsa theksoi rëndësinë e analizës së mëtejshme për standardet e sigurisë.
Rama garantoi se banorët nuk do të lihen vetëm. “Askush prej atyre banorëve nuk do të lihet në fatin e vet përballë nevojës për t’u rikthyer dhe për të jetuar normalisht në një banesë të veten, siç i takon, tërësisht të rindërtuar”, theksoi Kryeministri.

