TIRANË, 18 prill/Albania Express News/ Në prag të sezonit turistik, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj edhe gjatë muajit prill, një periudhë që po konsiderohet si “sezoni i artë” për udhëtime të qeta dhe autentike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video me turistë të huaj që po vizitojnë vendin tonë këtë mes prilli.
“Fundjavat e prillit me det dhe diell”, shkruan Rama.
Interesi për të vizituar Shqipërinë është rritur ndjeshëm këtë pranverë, falë motit të butë dhe mungesës së fluksit të madh veror.
Qytete si Tirana, Kruja, Berati dhe Gjirokastra po shënojnë një fluks vizitorësh, ndërsa shumë prej tyre kanë preferuar edhe bregdetin, i cili mbetet i preferuar për ata që kërkojnë qetësi dhe natyrë.
Muaji prill është ideal për eksplorimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendit, përfshirë parqet kombëtare dhe sitet arkeologjike.
Shqipëria po konsolidohet si një destinacion gjithëvjetor, duke mos u kufizuar më vetëm në muajt e verës, por duke ofruar përvoja unike edhe në pranverë dhe vjeshtë.

