“Më kërcënohet jeta” : Durim Bami transferohet nga ‘313’-a drejt burgut të Fushë-Krujës, ndryshon vendimi me ardhjen e drejtorit të ri

Një zhvillim i rëndësishëm ka ndodhur në sistemin penitenciar shqiptar, ku i shumëkërkuari i drejtësisë, Durim Bami, është transferuar nga burgu “313” në Tiranë drejt IEVP-së së Fushë-Krujës, pas pranimit të kërkesës së tij për zhvendosje.

Vendimi është marrë nga drejtori i ri i burgjeve, Adriatik Kupi, i cili ka miratuar kërkesën e bërë prej disa javësh nga Bami. Kjo kërkesë ishte refuzuar më herët nga drejtori i mëparshëm, Klevis Qose, duke krijuar një situatë të paqartë mbi sigurinë e të arrestuarit.

Sipas burimeve, Bami e ka depozituar kërkesën menjëherë pas ekstradimit të tij nga Dubai, duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik serioz në ambientet e paraburgimit në Tiranë. Ai ka argumentuar se në burgun “313”, i njohur si IEVP 302 në rrugën “Mine Peza”, por edhe në institucionet e tjera si ato të Peqinit dhe Reçit në Shkodër, ndodhen persona me të cilët ka konflikte të hapura, çka rrezikon drejtpërdrejt sigurinë e tij.

Në kërkesën zyrtare, burgu i Fushë-Krujës është konsideruar si alternativa më e sigurt dhe më e përshtatshme për qëndrimin e tij. Ndërkohë, avokati i tij, Ilir Murati, ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen shëndetësore të klientit, duke theksuar se Bami ndodhej në kushte jo të favorshme dhe përjetonte stres të vazhdueshëm për shkak të bashkëjetesës me persona të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale.

Durim Bami ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u ekstradua nga Dubai drejt Shqipërisë, pas vendimit të Gjykata e Posaçme, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai akuzohet për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë sigurimin e kushteve për kryerje vrasjeje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, kultivim të bimëve narkotike dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.

Transferimi i tij në Fushë-Krujë pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ky vendim do të ndikojë në hetimet dhe proceset gjyqësore që vijojnë ndaj tij.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Gjyqi i themelit/ “Shqipëria e shqiptarëve”, ish-presidenti Meta shfaqet në kafazin e xhamtë të sallës së gjyqit

TIRANË,27 prill 2026/Albania Express News/Këtë të hënë mbahet seanca...

Thjeshtohen procedurat e check-in për bagazhet në Aeroportin e Tiranës

TIRANË, 27 prill 2026 /Albania Express News/ Në Aeroportin...

Avokati i Popullit: Zhbllokohen pagat e prapambetura për policët e burgjeve

TIRANË, 27 prill 2026/Albania Express News/ Avokati i Popullit...