Mazniku: Bashkitë, aktorë kyç në zhvillimin ekonomik të territorit të tyre

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku foli sot në konferencën “Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit” që po mbahet në Elbasan.

Si pjesë e sesionit të parë të diskutimeve me fokus në strukturimin e investimeve për qytete me neutralitet klimatik, Mazniku tha se reforma territoriale e ndërmarrë një dekadë më parë, përmes bashkimit të bashkive, ka krijuar tashmë një kuadër të ri konceptual për funksionimin e pushtetit vendor.

Mazniku nënvizoi se bashkitë nuk duhet të shihen më thjesht si njësi që ofrojnë shërbime bazë, si mirëmbajtja e rrugëve, pastrimi apo menaxhimi i mbetjeve, por si aktorë kyç në zhvillimin ekonomik të territorit të tyre.

“Ligji i vitit 2014 dhe vetë koncepti i reformës kërkuan që bashkitë të transformohen në motorë zhvillimi ekonomik. Infrastrukturat dhe shërbimet bazë nuk janë vetëm detyra të përditshme, por edhe mekanizma për të nxitur ekonominë lokale”, u shpreh Mazniku.

Ai nënvizoi rëndësinë e identifikimit të sektorëve që përbëjnë motorët ekonomikë të një qyteti, duke theksuar se zhvillimi ekonomik lidhet drejtpërdrejt me prodhimin, punësimin dhe gjenerimin e të ardhurave.

Sipas Maznikut, investimet e bashkive dhe krijimi i sinergjive me aktorë të tjerë janë bërë po aq të rëndësishme sa funksionet tradicionale të pushtetit vendor.

Në këtë kuadër, ai solli si shembull zonën e Metalurgjikut në Elbasan, duke e cilësuar atë si një rast konkret të ndërveprimit mes qeverisë qendrore, pushtetit vendor dhe sektorit privat.

“Ndërveprimi mes qeverisë qendrore dhe bashkisë së Elbasanit për zhvillimin e zonës së Metalurgjikut tregon se kemi hyrë në një fazë të re, ku bashkitë kanë një rol aktiv në zhvillimin ekonomik të territorit të tyre”, tha ai.

Mazniku bëri të ditur se xhiroja vjetore e kompanive që operojnë në këtë zonë arrin në rreth 1.1 miliardë euro, duke e kthyer atë në një nga pikat më të rëndësishme ekonomike në vend.

Mazniku theksoi se të gjithë elementët janë të pranishëm për ta kthyer këtë zonë në një histori suksesi, jo vetëm për qytetin e Elbasanit, por për gjithë Shqipërinë.

“Suksesi varet nga ndërveprimi i qëndrueshëm mes institucioneve dhe aktorëve ekonomikë. Ne kemi të gjitha mundësitë për ta kthyer këtë në një model zhvillimi për vendin”, u shpreh Mazniku.

Konferenca Ndërkombëtare “Elbasani 2030, Zbatimi i Kontratës Klimatike të Qytetit”, shënon një moment kyç në kalimin nga planifikimi strategjik në zbatimin konkret të objektivave për reduktimin e emetimeve dhe zhvillimin e qëndrueshëm urban.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME