“Kërnaja sfidon krizën e rezultateve: ‘Shkojmë në Elbasan Arena vetëm për fitore, vendi i katërt është në dorën tonë’”

Në prag të përballjes së rëndësishme ndaj AF Elbasani, trajneri Oltijon Kërnaja ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka analizuar momentin aktual të skuadrës, objektivat dhe sfidat që e presin ekipin e tij.

Edhe pse skuadra vjen pas tre ndeshjesh pa fitore, Kërnaja ka kërkuar qetësi dhe besim, duke theksuar se seria pozitive mbetet e rëndësishme:

“Është e vërtetë që nuk kemi fituar në tre ndeshjet e fundit, por nga ana tjetër jemi nëntë ndeshje pa humbje. Kjo tregon stabilitet dhe është brenda objektivave që kemi vendosur në fillim të sezonit,” u shpreh ai.

Fokusi i trajnerit është i qartë për transfertën në Elbasan Arena  ,rezultat maksimal. Ai nuk e fsheh ambicien për të përsëritur suksesin ndaj këtij kundërshtari dhe për të ruajtur pozicionin në renditje:

“Shkojmë për të fituar. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe nuk duam të ndalemi. Objektivi ynë është të marrim një rezultat pozitiv dhe të mbajmë pozicionin që kemi fituar me djersë.”

Megjithatë, skuadra nuk do të jetë e plotë. Kërnaja konfirmoi disa mungesa të rëndësishme në formacion:

“Martinez është operuar, Skuka vazhdon të vuajë nga dëmtimi, ndërsa Atanaskoski mungon për shkak të kartonëve. Megjithatë, lojtarët që kemi në dispozicion janë të gatshëm të japin maksimumin.”

Një tjetër betejë e hapur mbetet gara për vendin e katërt, ku rivali direkt është Dinamo City. Kërnaja shprehet optimist se fati i ekipit është tashmë në duart e tyre:

“Tashmë gjithçka është në këmbët tona. Më parë vareshim edhe nga rezultatet e të tjerëve, por tani jo. Me përkushtim dhe punë si deri tani, besoj se do ta mbajmë vendin, pse jo edhe të synojmë më lart.”

Sfida ndaj AF Elbasanit pritet të jetë një provë karakteri për skuadrën e Kërnajës, që kërkon të kthehet te fitorja dhe të japë një mesazh të fortë në garën për objektivat e sezonit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME