GJIROKASTËR, 12 prill/Albania Express News/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës vijon të mbetet ndalesë e rëndësishme në hartën e udhëtimeve të turistëve vendas e të huaj në Shqipëri.
I shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore nga UNESCO, ky qytet mbart një histori të pasur, arkitekturë unike dhe një atmosferë që të rikthen pas në kohë.
Gjirokastra tërheq vizitorë me autenticitetin e saj ku shtëpitë karakteristike prej guri, rrugicat e ngushta me kalldrëm dhe pamjet panoramike krijojnë një përvojë të veçantë për çdo turist.
Edhe gjatë muajve të parë të këtij viti Gjirokastra po tërheq një numër në rritje të vizitorëve.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi tha sot për ATSH-në se “në tre muaj e parë të vitit qyteti i gurtë dhe rrethinat kanë tërhequr interesin e turistëve sidomos atyre të huaj. Nga janari deri në fund të marsit janë rreth 13 mijë turistë, të cilët kanë vizituar territorin e bashkisë Gjirokastër”.
Natyrshëm më të frekuentuara nga turistët janë vlerat natyrore dhe objektet e trashëgimisë kulturore si: Kalaja e gurtë, Pazari karakteristik, komplekset muzeale, etj.
Gjithashtu, interesa nxisin edhe muzeumet që administrohen nga bashkia si Muzeu i Armëve, ai Etnografik, Muzeu Kadare dhe ai i Luftës së Ftohtë.
“Prej fillimit të vitit muzetë kanë mirëpritur rreth 5 mijë vizitorë vendas dhe të huaj. Rritje e ndjeshme e numrit të turistëve në Gjirokastër po regjistrohet në këto ditë të para të stinës së pranverës”, tha Golemi.
Tashmë Gjirokastra është një markë e njohur për turizmin ndërkombëtar dhe tregues është rritja e vizitueshmërisë nga vit në vit e turistëve që mbërrijnë nga të gjitha shtetet e botës.
Kryebashkiaku Golemi tha se “kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë fort për promovimin e Gjirokastrës si një destinacion ndërkombëtar duke mbështetur subjektet lokale, bizneset, artizanatin, për të reklamuar produktet e tyre në panairet jashtë vendit”.
“Nëpërmjet përgatitjes së guidave, klipeve, websiteve, fletëpalosjeve, materialeve informuese në gjuhë të ndryshme po mundësojmë njohjen e resurseve dhe potencialeve turistike të Gjirokastrës për vizitorët e huaj”, nënvizoi Golemi.
Bashkia e Gjirokastrës ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët e huaj, organizatat ndërkombëtare të turizmit, ambasadat në vendin tonë, përfaqësuesit e bizneseve turistike, etj.
Golemi u shpreh besimplotë se edhe përgjatë këtij viti qyteti i gurtë dhe rrethinat do të vazhdojnë të mirëpresin një numër në rritje turistësh nga vende të ndryshme.
Gjirokastra mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme turistike dhe me potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm në sektorin e turizmit.

