LIBRAZHD ,12 prill 2026/Albania Express News/ Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin e Librazhdit dhe më gjerë këtë fundjavë.Sot është ndarë nga jeta në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë pas një sëmundje të rëndë mësuesi i mirënjohur dhe krijuesi i përkushtuar, Mexhit Zharri, një figurë e respektuar që i kushtoi jetën dijes dhe edukimit të brezave.
I lindur më 20 mars 1949 në fshatin Polis të Librazhdit, Mexhit Zharri kreu studimet në degën Gjuhë-Letërsi dhe iu përkushtua arsimit për dekada me radhë. Ai punoi si mësues në disa fshatra të zonës si Vilan, Babje, Dardhë, Hotolisht dhe Drastunjë, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në formimin e brezave të rinj.
Krahas misionit të tij në arsim, Zharri ishte edhe një krijues i pasionuar dhe i ndjeshëm ndaj fjalës artistike. Ai është autor i tre vëllimeve poetike dhe disa përmbledhjeve me tregime, ku spikat një frymë lirike e thellë dhe një vëzhgim i mprehtë i realitetit. Në poezinë e tij trajtohen tema si vendlindja, dashuria për natyrën, jeta e thjeshtë në fshat, si dhe vlerat njerëzore e morale.
Ndërsa në tregimet e tij, ai sjell personazhe të frymëzuara nga jeta reale, me histori që pasqyrojnë sfidat, sakrificat dhe përditshmërinë e komunitetit. Gjuha e tij e pastër dhe rrëfimi i drejtpërdrejtë e bëjnë krijimtarinë e Zharrtit të afërt dhe të ndjerë për lexuesin.
Largimi i tij nga jeta lë një boshllëk të madh, por vepra dhe kontributi i tij do të mbeten një pasuri e çmuar për kulturën dhe arsimin lokal.
Ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe ta kenë mësues.

