TIRANË, 9 prill /Albania Express News/ Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato zhvilloi sot një takim me kreun e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapajn dhe drejtuesin e Lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonzato tha se “bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e vetë strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut”.
“Biseda të vlefshme sot me Adriatik Lapajn e “Shqipëria Bëhet” dhe Arlind Qorrin e “Lëvizja Bashkë”, ku ramë dakord se një demokraci e shëndetshme ndërtohet mbi pluralizmin”, tha Gonzato.
Ambasadori Gonzato nënvizoi se “bashkëjetesa e zërave të ndryshëm politikë ndihmon në pasqyrimin e vetë strukturës së shoqërisë, siguron përfaqësim të drejtë dhe rrit besimin e publikut”.
“Çdo votë e hedhur duhet të ketë të njëjtën peshë, në mënyrë që rezultatet zgjedhore të pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve. Prandaj reforma zgjedhore ka rëndësi. Një kuadër zgjedhor i drejtë dhe transparent siguron që përfaqësimi në parlament të pasqyrojë zgjedhjet e votuesve. Ai fuqizon qytetarët, nxit pjesëmarrjen dhe forcon llogaridhënien”, deklaroi Gonzato.

