“Reagim ndaj korrupsionit”/ Mesazhi politik i Arqipeshkvit Dodaj në urimin e Pashkëve: Mos prisni nga të huajt, a thua se kanë detyrë të na duan ne

Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, Arjan Dodaj kishte sot një mesazh të fortë politik në urimin në vigjilje te Pashkës.

Dodaj u shpreh se ndryshimin duhet ta bëjmë ne dhe jo ta presim nga jashtë dhe shtoi se sot ka nevojë për ndërgjegjje reaguese ndaj korrupsionit dhe këtë mesazh ia drejtoi politikanëve, por edhe figurave të tjera që mbajnë përgjegjësi ekonomike dhe sociale në vend.
“Vendi ynë nuk duhet të presë që e drejta apo e ardhmja do të na vijë nga jashtë. A thua vallë se të huajt e kanë për detyrë ta duan më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ashtu si Krishti nuk mbeti në varr, por hapi një rrugë të re përtej vdekjes, edhe për ne nuk ka situata pa shpresë. Secili prej nesh mund t’i drejtohet vetvetes me fjalët e Nën Terezës së Madhe: bëhu ti ndryshimi që pret dhe do ta shohësh në Shqipëri. Prandaj sot është thelbësore mos të dorëzohemi përballë së keqes, por të mbjellim shpresë konkrete. Shqipëria ka nevojë për burra dhe gra të ndershëm që e duan këtë tokë dhe popullin e saj.

Ka nevojë për ndërgjegje reaguese që nuk e pranojnë korrupsionin, padrejtësinë dhe mënjanimin si diçka normale. Është ky një urim për të gjithë, sidomos për ata që mbajnë përgjegjësi politike, ekonomike dhe shoqërore, që të shohin me largpamësi edhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit, pasi ata janë të parët që nga ky vend kanë pasur shumë nga të mirat me të cilat gëzohen dhe krenohen. Të dashur vëllezër e motra, gëzuar për shumë mot Pashkët të gjithëve”, u shpreh Arqipeshkvi Arjan Dodaj.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME