Elbasani po vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së rëndësishme që do të zhvillojë javën e ardhshme ndaj Dinamos, një sfidë ku objektivi kryesor mbetet marrja e një rezultati pozitiv për të ruajtur kreun e renditjes. Verdheblutë janë të përqendruar maksimalisht, por tekniku Gvozdenoviç duhet të përballet me disa probleme në skuadër. Shqetësimi më i madh mbeten dëmtimet, ku më i ndjeshmi është ai i portierit titullar, Martin Janaçek. Gjendja e tij vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor dhe rikthimi nuk dihet saktësisht kur mund të ndodhë. Megjithatë, një alternativë e besueshme mbetet Klevi Totoshi, i cili u thirr sërish në apel dhe la përshtypje shumë të mira në ndeshjen ndaj Egnatias. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, gardiani elbasanas thekson gatishmërinë e tij për të marrë përgjegjësi në çdo moment që skuadra ka nevojë. “Sigurisht që ndihem i lumtur për mundësinë që po më jepet, sepse çdo lojtar punon çdo ditë për të qenë në fushë dhe për të ndihmuar ekipin. Nga ana tjetër, më vjen keq për kolegun Janaçek, sepse dëmtimet janë gjithmonë të vështira për një sportist. I uroj rikthim sa më të shpejtë dhe sa më të fortë. Sa më takon mua, e kam thënë edhe më parë: jam gjithmonë gati për ekipin dhe do të jap maksimumin në çdo minutë që do të jem në fushë. E di që përgjegjësia është e madhe, sidomos në një moment kaq delikat të sezonit, por ndihem i mbështetur nga i gjithë grupi. Mbrojtja më ndihmon shumë, kemi komunikim të mirë në fushë dhe kjo më jep qetësi. Kur ke besimin e skuadrës, çdo gjë bëhet më e lehtë,” u shpreh fillimisht Totoshi.
TITULLI – Në vijim, portieri u ndal edhe te gara për titull, duke theksuar se gjithçka mbetet e hapur deri në fund. “Kampionati është shumë i fortë këtë sezon dhe diferencat janë të vogla. Ka disa ekipe që pretendojnë dhe çdo ndeshje është si finale. Ne duhet të fokusohemi te vetja, të bëjmë detyrën tonë dhe të japim maksimumin në çdo takim. Fakti që jemi në këtë pozicion na jep besim dhe motivim, por gjithçka varet nga vazhdimësia jonë. Nëse ruajmë këtë ritëm dhe këtë përqendrim, besoj se kemi shanse reale për titull,” shtoi ai.
DINAMO – Duke folur për kundërshtarin e radhës, Totoshi vlerësoi maksimalisht Dinamon, por u shpreh optimist për rezultatin. “Dinamo është një skuadër e fortë dhe e organizuar, që të vë në vështirësi. Nuk ka ndeshje të lehta në këtë fazë të kampionatit dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Megjithatë, ne do të hyjmë në fushë për fitore, si gjithmonë. Kemi besim te grupi ynë dhe mendoj se, nëse japim maksimumin, mund t’i marrim tri pikët,” përfundoi gardiani i Elbasanit. Ndërkohë, në kuadër të përgatitjeve, ditën e shtunë në orën 14:00, në “Elbasan Arena”, verdheblutë do të zhvillojnë edhe një test miqësor ndaj Skënderbeut, ku stafi teknik pritet të provojë alternativa të ndryshme dhe të vlerësojë gjendjen e lojtarëve.

