Librazhdi pritet të ketë një shtysë të re zhvillimi në dy sektorë kyç të ekonomisë lokale, turizmin dhe bujqësinë. Kryetari i Bashkisë, Mariglen Disha, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Kryeministrin Edi Rama, ku së bashku me përfaqësues të bizneseve lokale, fermerë dhe aktorë të tjerë të ekonomisë së zonës diskutuan hapur mbi sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të mëtejshëm të qytetit dhe zonave rurale.

Në fokus të bisedimeve ishte rritja e potencialit ekonomik të zonës përmes zhvillimit të turizmit dhe bujqësisë, dy sektorë që konsiderohen si shtylla të rëndësishme për të ardhmen e Librazhdit. Gjatë takimit u diskutua për mbështetjen e investimeve, rritjen e turizmit malor dhe fuqizimin e prodhimit bujqësor vendas.
Kryebashkiaku Mariglen Disha theksoi se vitet e fundit Librazhdi po përjeton një zhvillim të vrullshëm të turizmit malor, falë bukurive natyrore dhe investimeve në shërbime e akomodim.

“Turizmi malor në Librazhd po zhvillohet me ritme shumë të shpejta. Sot kemi një interes në rritje të turistëve vendas dhe të huaj në disa zona shumë të bukura të bashkisë sonë, si Njësia Administrative Steblevë, veçanërisht në fshatin Fushë Studen, në zonën e Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, në Njësinë Administrative Hotolisht në fshatin Xhyrë, si edhe në Njësinë Administrative Qendër në fshatin Dorës. Në këto zona tashmë ka një dyndje të vizitorëve, përfshirë edhe shumë turistë të huaj, ndërsa njësitë e shërbimit dhe akomodimit janë në nivele shumë të mira dhe ofrojnë standarde të shkëlqyera për mikpritjen e tyre”, u shpreh ai.

Sipas Dishës, zhvillimi i turizmit malor pritet të marrë një tjetër hov edhe falë politikave të reja mbështetëse për zonat malore. “Me paketën e maleve presim që zhvillimi dhe fuqizimi i industrisë së turizmit malor në Librazhd të marrë ritme edhe më të shpejta, duke sjellë më shumë investime, më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi punësimi për banorët e zonës”, theksoi ai.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi potencialin e madh që ka Librazhdi në turizmin natyror dhe në zhvillimin e bujqësisë, duke theksuar se zona ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në një nga destinacionet më të rëndësishme të turizmit malor në vend.

Rama nënvizoi se përmes bashkëpunimit mes qeverisë, pushtetit vendor dhe sipërmarrjes lokale do të vijojë mbështetja për investimet në infrastrukturë, turizëm dhe bujqësi, në mënyrë që potenciali i zonës të shfrytëzohet maksimalisht dhe të krijohen më shumë mundësi zhvillimi për komunitetin lokal.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit mes institucioneve dhe biznesit, me synimin për ta kthyer Librazhdin në një model zhvillimi për turizmin malor dhe ekonominë rurale në Shqipëri.


