Pas një sëmundjeje të rëndë është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare zonja Shpresa Bardhi, një nga figurat e njohura të administratës publike, lëvizjes sindikale dhe angazhimit qytetar në Elbasan.
E lindur më 3 prill 1954, Shpresa Bardhi ishte një profesioniste me një kontribut të gjatë në administratë dhe në mbrojtjen e të drejtave të punonjësve. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën “Dhaskal Todhri” në Elbasan, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, në degën Plan–Industri.
Karrierën profesionale e nisi në vitin 1976 si shefe plani në Rajonin Hekurudhor të Elbasanit, detyrë që e mbajti për një dekadë. Më pas shërbeu si specialiste e hekurudhave pranë seksionit të komunikacionit në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Elbasan. Për më shumë se tre dekada ajo kontribuoi edhe në sektorin postar, ku drejtoi Degën e Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve në Drejtorinë e Albapostës në Elbasan, deri në vitin 2021.

Një pjesë e rëndësishme e jetës së saj ishte edhe angazhimi sindikal dhe social. Që nga viti 2001 ajo drejtonte Këshillin Sindikal të Qarkut Elbasan, duke qenë një zë i fortë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve. Gjithashtu ka mbajtur funksione të rëndësishme në organizata dhe struktura të ndryshme, si nënkryetare e Federatës Kombëtare Sindikale të Punonjësve të Telekomit, anëtare e Komitetit Drejtues të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, si dhe pjesë e “Forumit të Pavarur të Gruas” në Elbasan.
Kontributi i saj shtrihej edhe në jetën publike dhe komunitare. Ajo ka qenë kryetare e Këshillit Popullor të lagjes “35-Vjetori” në Elbasan, ndërsa në vitet 2015–2019 shërbeu si anëtare e Këshillit Bashkiak të Elbasanit.
Përveç angazhimeve institucionale, Shpresa Bardhi ishte aktive në trajnime dhe iniciativa që lidhen me barazinë gjinore, të drejtat e grave, luftën kundër dhunës në familje dhe fuqizimin e grave në tregun e punës. Ajo ishte gjithashtu pjesë e tryezës teknike për menaxhimin e rasteve të dhunës pranë Bashkisë së Elbasanit.
Familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë e kujtojnë si një grua të përkushtuar, me aftësi të spikatura organizuese dhe komunikuese, e cila për dekada kontribuoi në jetën sociale, institucionale dhe qytetare të Elbasanit.
Ndarja e saj nga jeta lë pas një boshllëk të ndjeshëm për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që punuan dhe bashkëpunuan me të ndër vite.

