Rikthehet qarkullimi në aksin Librazhd–Prrenjas, hapet sot devijimi provizor në “Arrat e Gurrës”

 

Pas disa ditësh bllokimi si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave në zonën “Arrat e Gurrës”, Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton zyrtarisht rikthimin e qarkullimit për të gjitha mjetet në aksin kombëtar Librazhd–Prrenjas.

Sipas njoftimit zyrtar, sot, më 03.03.2026, në orën 12:00, hapet për qarkullim segmenti i bllokuar, përmes një devijimi provizor të ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm. Ky devijim do të shërbejë si zgjidhje e përkohshme deri në realizimin e plotë të rrugës alternative, e cila do të ndërtohet në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.

Segmenti i hapur do të funksionojë me sinjalistikë kantieri, ndërsa përkohësisht do të jetë i paasfaltuar, deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse. Pas përfundimit të kësaj faze teknike, do të kryhet edhe asfaltimi përfundimtar, duke rikthyer parametrat e plotë të sigurisë dhe komoditetit për drejtuesit e mjeteve.

ARRSH u ka bërë thirrje të gjithë përdoruesve të rrugës dhe banorëve të zonës që të tregojnë mirëkuptim dhe kujdes maksimal, duke respektuar sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, me qëllim garantimin e një qarkullimi të sigurt për të gjithë.

Ndërkohë, prej ditës së djeshme, të gjitha shoqëritë e transportit të mallrave dhe të transportit të udhëtarëve kanë qenë në pritje të hapjes së këtij aksi jetik, i cili përbën një nyje të rëndësishme lidhëse mes Librazhdit dhe Prrenjasit, si dhe një segment strategjik për qarkullimin në juglindje të vendit.

Me hapjen e devijimit provizor në mesditë, pritet rikthimi gradual i normalitetit në lëvizjen e automjeteve dhe në aktivitetin ekonomik të zonës.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME