Autoriteti Rrugor Shqiptar: Rruga provizore në aksin Librazhd–Prrenjas hapet nesër në orën 12:00, kalimi për të gjitha mjetet

Pas shembjes së aksit rrugor Librazhd–Prrenjas, që çoi në bllokimin e plotë të qarkullimit për disa ditë, është njoftuar hapja e një rruge provizore që do të mundësojë kalimin e mjeteve nga një krah në tjetrin. Sipas njoftimit zyrtar, rruga provizore do të hapet ditën e nesërme në orën 12:00.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili theksoi se kalimi do të jetë i lejuar për të gjitha kategoritë e mjeteve, përfshirë automjetet e vogla, mjetet e transportit të qytetarëve si dhe kamionët. Kjo ndërhyrje pritet të rikthejë normalitetin në një nga akset më të rëndësishme lidhëse në zonën juglindore të vendit.

Rruga provizore po ndërtohet në një segment që lidh Korridorin VIII me rrugën ekzistuese të shembur, duke krijuar një zgjidhje të përkohshme për lëvizjen e mjeteve deri në ndërtimin e një aksi të ri alternativ.

Paralelisht me këtë ndërhyrje, është projektuar ndërtimi i një segmenti alternativ me gjatësi 1.3 kilometra, i cili nuk do të jetë provizor. Ky segment do të ndërtohet përkrah linjës hekurudhore, në shtratin e lumit Shkumbin, duke shmangur zonën e prekur nga erozioni. Sipas autoriteteve, projekti garanton një pjerrësi të përshtatshme dhe standarde sigurie për qarkullimin e mjeteve.

Gjatë një deklarate për mediat, kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se aksi i ri alternativ Librazhd–Prrenjas do të ketë një gjerësi prej 9 metrash, çka pritet të sigurojë lëvizje më të qëndrueshme dhe më të sigurt për përdoruesit e rrugës.

Ndërkohë, ARRSH ka vendosur të pezullojë përkohësisht punimet në kuadër të Korridori VIII deri në përfundimin e plotë të rrugës alternative, duke i dhënë përparësi rikthimit të qarkullimit në këtë segment problematik.

Autoritetet theksojnë se punimet po vijojnë me intensitet të lartë, me qëllim që situata të stabilizohet sa më shpejt dhe qytetarët të mos përballen më me pengesa në qarkullim.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME