Ndryshimet e qeverisë, dalin pamjet nga takimi i Ramës dhe Begajt! Zgjati 30 minuta

Pas 30 minutash ka përfunduar takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit, Bajram Begaj. Pas takimit, Rama është larguar nga ambientet e Pallatit të Brigadave ndërsa janë zbuluar detaje nga takimi.

Gjithashtu janë publikuar pamjet ku shihen Rama dhe Begaj gjatë bisedimeve. Gjatë takimit, Rama i paraqiti Begajt propozimet për ndryshimet në Kabinetin qeveritar.

“Sot, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, priti në takim Kryeministrin, Sh. T. Z. Edi Rama.
Kryeministri paraqiti në takim propozimet për ndryshimet në Kabinetin qeveritar.
Procedura kushtetuese parashikon 7 ditë afat për dekretimin e ministrave”, njofton presidenca.

Presidenti ka 7 ditë kohë për të dekretuar ndryshimet, të cilat më pas duhet të miratohen edhe nga Parlamenti.

Kryeministri Edi Rama ka riformatuar qeverinë pak muaj pas nisjes së mandatit të tij të tretë, pas pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë, Belinda Balluku.

Në ndryshimet kryesore:

  1. Albana Koçiu zëvendëson Ballukun si zv/kryeministre, ndërsa portofoli i Energjisë dhe Infrastrukturës i besohet Enea Karakaçi, ish-drejtor i OSHEE-së.
  2. Besfort Lamallari merr Ministrinë e Brendshme pas largimit të Koçiut, ndërsa drejtësinë drejton tani Toni Gogu.
  3. Në Ministrinë e Jashtme rikthehet Ferit Hoxha, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.
  4. Ermal Nufi emërohet ministër i Mbrojtjes, në vend të Pirro Vëngut, dhe Eriona Ismaili, deputetja më e re e Vlorës, merr postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Në total, katër ministra të rinj hyjnë në qeveri, ndërsa tre largohen, si Belinda Balluku, Elisa Spiropali dhe Piro Vengu. Lëvizjet e fundit u njoftuan pas një mbledhjeje maratonë në Pallatin e Brigadave.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME