LIBRAZHD – Vijon pa ndërprerje puna në terren për rikthimin e sigurisë dhe normalitetit në qarkullim pas rrëshqitjes masive të dheut që bllokoi segmentin rrugor pranë Dragostunjës, duke krijuar vështirësi të mëdha për banorët e Librazhdit dhe gjithë zonës së Juglindjes.
Në ndjekje të situatës nga afër ka qenë edhe deputeti i zonës, Olsi Komici, i cili ka inspektuar punimet dhe është informuar mbi ecurinë e ndërhyrjeve për hapjen sa më të shpejtë të një kalimi të sigurt alternativ. Ai ka theksuar se prioritet mbetet garantimi i sigurisë për qytetarët dhe rikthimi i plotë i qarkullimit në këtë aks të rëndësishëm kombëtar.

Me angazhim maksimal dhe me dhjetëra makineri të rënda në terren, ekipet po punojnë intensivisht për stabilizimin e zonës dhe krijimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Terreni i vështirë dhe volumi i madh i materialit të rrëshqitur e kanë bërë ndërhyrjen komplekse, por ritmi i punimeve mbetet i lartë.
Paralelisht, në zonë ndodhen edhe ekipet e Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), të cilat po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në zonat e prekura nga dëmtimet.

Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve mirëkuptim për vështirësitë e përkohshme, ndërsa garantuan se koordinimi mes institucioneve është i plotë për të kapërcyer këtë situatë sa më shpejt. Me vendosmëri dhe bashkëpunim, pritet që shumë shpejt të rikthehet normaliteti i plotë në këtë segment jetik për qarkun e Librazhdit.


