…Në këtë paradite me diell dhe erë të lehtë, Durrësi pa një 83-vjeçar që marshonte drejt detit si një djalë i ri. Dhe unë pata privilegjin ta pres në konakun tim, ta shoh nga afër këtë monument të gjallë të notit shqiptar…
Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh
Një mëngjes me diell dhe me histori
Paraditja kishte atë dritën e artë, që vetëm Durrësi di ta shpërndajë mbi muret, mbi kalldrëmet dhe mbi njerëzit. Një diell i butë, një erë e lehtë që vinte nga deti dhe sillte kripën e përjetshme të Adriatikut. Në atë qetësi të bukur trokiti historia. Jo me zhurmë. Jo me bujë. Por me hapa të sigurt.
Nga Tirana ishte nisur herët një burrë 83-vjeçar. Një burrë me trup të drejtë, të fortë, pa asnjë gram tepricë, me një çantë të lehtë mbi shpinë. Brenda saj rrobat e banjës, peshqiri, ndërresa për t’u kthyer. Asgjë më shumë. Asgjë luksoze. Asgjë e tepërt.
Ishte ai, Sulejman Poda. Por për ne është Sula. Për notin shqiptar është legjendë. Për sportin është institucion. Për miqtë, një djalë i përjetshëm me thinja fisnike. Jemi me 26 shkurt 2026.
Dhe për mua, këtë paradite, ishte njeriu që më zbardhi konakun.
Nga Tirana drejt Durrësit rrugëtim pa bujë
Nuk ishte një udhëtim për ceremoni. Nuk ishte një ardhje për dekorata. Ishte një thirrje e brendshme, deti e kishte ftuar.
Sulejman Poda, “Mjeshtër i Madh”, “Nderi i Notit Shqiptar”, mbajtës i medaljeve të mirënjohjes, krenaria e pishinave dhe e brezave që ai formoi, zgjodhi të vijë thjeshtë. Si qytetar. Si sportist. Si njeri që i bindet trupit dhe disiplinës që ka ndërtuar ndër dekada.
Në konakun tim u ul qetë. Çeli fytyrën, me atë buzëqeshjen e njeriut që ka fituar betejat më të vështira, jo me kundërshtarë, por ato me kohën. Bëmë një foto. Një foto që peshon sa një arkiv. Gazetari Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh” dhe përkrah tij Sulejman Poda “Mjeshtër i Madh” dhe mjeshtër i ujit.
Dy rrugë jete që kryqëzohen në një moment të thjeshtë, por domethënës. Nuk flet shumë për veten. Nuk i duron klubet, zhurmën, sallonet ku njerëzit bëhen të mëdhenj me fjalë. Sula është i madh në heshtje. Është nga ata që e matin veten me kilometra të ecur, me metra të notuar, me kampionë të nxjerrë.

“Po shkoj të lahem…” Marshimi i një 83-vjeçari
Pas pak u ngrit.
“Po nisem për nga plazhi.”
Asnjë makinë. Asnjë komoditet. Asnjë justifikim moshe. Nga mesi i Durrësit, në këmbë, drejt detit. Një marshim që për shumë të rinj do të ishte lodhje, për të ishte zakon. Ecën shumë. Trupi i tij është si një orë zvicerane, që punon me disiplinë spartane. Vishet lehtë. Mendon lehtë. Jeton thjeshtë.
Rruga drejt plazhit, një proçesion i heshtur i karakterit. Era e lehtë i frynte mbi fytyrë. Dielli e shoqëronte si mik i vjetër. Çanta mbi shpinë nuk ishte peshë, por simbol.
Në sektorin “Agip” të plazhit të Durrësit, aty ku deti hapet i qetë, Sula nuk hyri si një pushues i zakonshëm. Hyri si njeri që i përket ujit. Si një notar, që nuk e ka tradhtuar kurrë elementin e tij.
Ky është trajneri i “Studentit”, njeriu që në vitet e demokracisë drejtoi ekipe të njohura, që ndërtoi kampionë, që rriti emra, që i dha notit shqiptar frymëmarrje dhe standard.
Sa kampionë dolën nga duart e tij? Sa medalje mbajnë brenda djersën e tij? Shumë. Të shumtë. Të dokumentuar me ëertifikata, me tituj, me mirënjohje.
Por titulli më i madh i Sulejman Podës është, se vazhdon të lahet në det në moshën 83-vjeçare.
Në ujë dialogu me përjetësinë
E imagjinoj atë moment. Hapat mbi rërën e lagur. Heqja e këmishës së lehtë. Vendosja e peshqirit. Një frymëmarrje e thellë. Dhe pastaj, uji. Deti nuk gënjen. E njeh trupin që ka punuar me të. E njeh muskulin e stërvitur. E njeh frymën e gjatë.
Sula nuk hyn për spektakël. Njomet me lëngun e kripur për komunikim. Çdo lëvizje është kujtesë. Çdo goditje krahu është histori. Nuk noton për rekord. Noton për jetë. Në atë ujë 83-vjeçari bëhet 23. Koha dorëzohet përpara disiplinës. Mosha bëhet thjeshtë numër. Dhe njeriu që ka nxjerrë kampionë, mbetet vetë kampion i vetes.
Kthimi autobusi dhe fisnikëria e thjeshtësisë
Pas larjes, pasi ka përfunduar ritualin e tij të përvitshëm, e të përditshëm me detin, Sula nuk kërkon rehati. Nuk kërkon makinë luksoze. Nuk kërkon shoqërim ceremonial. Me autobus. Si çdo qytetar.
Nga plazhi drejt kthimit. Nga Durrësi drejt Tiranës sërish. Një ditë e thjeshtë për kalendarin. Një ditë e jashtëzakonshme, për ata që dinë të lexojnë karakterin.
Ai nuk bën zhurmë. Nuk lajmëron media. Nuk shpall heroizma. Por vetë jeta e tij, është një editorial i gjallë.
Sulejmani i Madhërishëm
Unë e quaj “Sulejmani i Madhërishëm”. Jo për perandori. Jo për pushtet. Por për sundimin që ka mbi veten.
Në një kohë kur shumë njerëz në moshë të re ankohen për lodhje, për stres, për pamundësi, Poda ecën kilometra për të hyrë në det. Në një kohë kur shëndeti blihet me palestra luksoze, Poda e ruan me disiplinë spartane dhe ajër të pastër.
Nuk i duron klubet. Nuk i duron sallonet, ku flitet shumë e bëhet pak. Është nga ata burra, që e kanë zgjidhur jetën me punë, me sport, me rregull.
Ka nxjerrë kampionë. Ka marrë tituj. Ka marrë medalje mirënjohjeje. Është shpallur “Nderi i Notit Shqiptar”. Por sot, titulli i tij më i madh, është ai marshim i heshtur nga konaku im deri në det.

Mësim që vjen në këmbë
Kjo nuk është vetëm një vizitë miqësore. Nuk është vetëm foto në konak. Është një mësim që erdhi në këmbë nga Tirana, hyri në det në Durrës dhe u kthye me autobus pa bujë.
Sulejman Poda na kujton se madhështia nuk është zhurmë. Është qëndrueshmëri. Është disiplinë. Është besnikëri ndaj trupit, ndaj profesionit, ndaj vetes.
Në këtë paradite me diell dhe erë të lehtë, Durrësi pa një 83-vjeçar që marshonte drejt detit si një djalë i ri. Dhe unë pata privilegjin ta pres në konakun tim, ta shoh nga afër këtë monument të gjallë të notit shqiptar.
Forca, Sula!
Sa kohë që ti ecën drejt detit, ne do të kemi gjithmonë shpresë, se mosha është vetëm numër dhe se madhështia është mënyrë jetese.

