Elbasani u kthye pa pikë nga transferta në Shkodër, në një ndeshje që me pak më shumë fat mund të ishte mbyllur edhe në barazim. Disfata e fundit e ka larguar disi skuadrën verdheblu nga kreu i renditjes, ndërsa shkodranët tashmë kanë krijuar një avantazh prej gjashtë pikësh. Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe kampionati po hyn në një fazë vendimtare. “Panorama Sport” mori opinionin e ish-kapitenit të Elbasanit në vitet 2000, Gentian Bylykbashi, i cili analizoi përballjen mes dy skuadrave kryesuese në stadiumin “Loro Boriçi”. Sipas tij, pavarësisht terrenit të rënduar nga reshjet e shiut, sfida ishte e nivelit të lartë dhe një reklamë e mirë për futbollin shqiptar. “Në tërësi ishte një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja ekipet, të cilat jo rastësisht ndodhen në krye të klasifikimit. Kishte ritëm, intensitet dhe raste shënimi nga të dyja anët. Ashtu si rrofhi loja, mund ta fitonte cilado skuadër. Edhe pse terreni ishte i vështirë për shkak të shiut, u zhvillua një takim cilësor dhe do ta vlerësoja si një kornizë shumë të mirë për kampionatin tonë”, u shpreh fillimisht ish-mesfushori.
ËNDRRA TITULL – Sipas Bylykbashit, humbja në Shkodër nuk duhet dramatizuar dhe në asnjë mënyrë nuk vë në diskutim objektivin minimal të sezonit, që është pjesëmarrja në “Final 4”. Ai thekson se diferenca e krijuar me ndjekësit i jep qetësi skuadrës elbasanase për fazën e mbetur të kampionatit. “Në kushtet ku ndodhet aktualisht Elbasani dhe me ecurinë që ka treguar gjatë gjithë sezonit, mendoj se ‘Final 4’ nuk është në rrezik. Për mua, Vllaznia, Egnatia dhe Elbasani janë relativisht të qeta në këtë aspekt, pasi kanë krijuar një distancë sigurie nga pjesa tjetër e tabelës. Lufta më e fortë do të jetë për vendin e katërt, ku shoh një garë të hapur mes Dinamos, Partizanit dhe Teutës, deri në javët e fundit”, theksoi ai. Madje, ish-kapiteni shkon edhe më tej, duke besuar se Elbasani duhet të synojë më shumë sesa thjesht “Final 4”. “Elbasani duhet të vazhdojë të besojë te titulli kampion. Ky është një nga sezonet më të mira të viteve të fundit për klubin. Loja, organizimi në fushë dhe rezultatet e arritura deri tani japin arsye për optimizëm. Sigurisht që gara është e fortë dhe çdo ndeshje është finale më vete, por skuadra ka treguar se i ka kapacitetet për të luftuar deri në fund”, shtoi Bylykbashi.
SFIDA ME VORËN – Sa i përket ndeshjes së radhës në transfertë ndaj Vorës, ai pret një përballje të vështirë, por shprehet optimist për rezultatin. “Do të jetë një ndeshje e fortë, sepse Vora në fushën e saj luan mirë dhe ka një trajner që preferon futboll të organizuar e cilësor. Nuk është kundërshtar për t’u nënvlerësuar. Megjithatë, me atë që ka treguar Elbasani këtë sezon, besoj se skuadra ka forcën dhe pjekurinë për të marrë tri pikët”, përfundoi ai. Aktualisht, pas 24 javësh kampionat, Elbasani renditet në vendin e tretë me 42 pikë. Objektivi kryesor mbetet sigurimi i një bilete për në kupat e Europës, por me garën ende të hapur dhe diferencat jo të pakapërcyeshme, ëndrra për titull vazhdon të mbetet gjallë në kampin verdheblu.

