“Sofra Tiranase 2026”, një festë madhështore për 106-vjetorin e Kryeqytetit ,Intelektuali Lulzim Brahja nderohet me titullin “Fisnikëria Tiranase”

Nga Fatmir Popja

Në kuadër të 106-vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet, Shoqata Tirana “Nderi i Kombit” organizoi në ambientet e Pallati i Kongreseve spektaklin tradicional “Sofra Tiranase 2026”, një mbrëmje e jashtëzakonshme që ndërthurte artin pamor, muzikën qytetare dhe trashëgiminë kulturore të kryeqytetit.

Mjëra qytetarë autoktonë dhe jo vetëm, personalitete të jetës publike, artistë dhe dashamirës të traditës tiranase u bënë pjesë e një aktiviteti tashmë të kthyer në institucion kulturor, që përçon krenarinë dhe identitetin e Tiranës ndër breza.

Ekspozita që solli shpirtin e Tiranës në ngjyra

Mbrëmja festive u çel me një ekspozitë pikture ku u prezantuan punimet e disa prej piktorëve më të mirë tiranas. Mes tyre spikatën edhe krijime të mjeshtrit të madh Ibrahim Kodra, figurë emblematike e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ekspozita ishte një udhëtim artistik përmes motiveve dhe ngjyrave që pasqyrojnë historinë, shpirtin dhe transformimin e Tiranës ndër vite nga qyteti me rrugica karakteristike, tek metropoli modern me rrënjë të forta tradicionale.

Angazhimi për Muzeun Historik të Tiranës

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, njëkohësisht drejtues i rëndësishëm i shoqatës organizatore të këtij eventi. Në fjalën e tij ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit:

“Sfida e dytë që ka Tirana dhe shoqata është plotësimi i Muzeut Historik të Tiranës. Unë i garantoj gjithë qytetarët autoktonë se, si prefekt i Tiranës, në bashkëpunim me bashkinë, atë banesë autoktone tiranase do ta kthejmë në Muzeun Historik të Tiranës.”

Një premtim që u prit me duartrokitje dhe që i jep një dimension të ri përpjekjeve për ruajtjen e memories kolektive të qytetit.

Koncerti ,zemra e “Sofrës Tiranase 2026”

Pas ekspozitës, skena iu la koncertit tradicional “Sofra Tiranase 2026”, ku artistë dhe këngëtarë të njohur nga Tirana, Shqipëria dhe trevat shqiptare interpretuan këngë qytetare plot emocion.

Atmosfera u karakterizua nga një ndërthurje brezash, ku tradita u përcoll me krenari dhe freski artistike, duke dëshmuar se kultura tiranase mbetet e gjallë dhe frymëzuese.

Nderimi i personaliteteve , “Fisnikëria Tiranase” për z.Lulzim Brahja dhe të tjerë

Një nga momentet kulmore të mbrëmjes ishte nderimi i personaliteteve të shquara tiranase. Mes tyre u vlerësua mjeku i njohur Flamur Topi dhe intelektuali i shquar Lulzim Brahja, të cilit Këshilli Drejtues i Shoqatës i akordoi titullin “Fisnikëria Tiranase”.

Titulli iu dorëzua nga figura e njohur e politikës shqiptare, Jorida Tabaku, e cila vlerësoi kontributet e çmuara të z. Brahja dhe të fisit Brahja që nga koha e Pavarësisë e deri në ditët e sotme.

Lulzim Brahja mbart me krenari mesazhet e të parëve: luftën e stërgjyshit, martirizmin e gjyshit, idealizmin e babait dhe kontributin e pandërprerë familjar për çështjen kombëtare. Ai i ka pasuruar këto vlera me veprat e tij konkrete në jetën publike dhe shoqërore.

Kontributet që lënë gjurmë

Në vitet e tranzicionit demokratik, Brahja ka dhënë ndihmesa të prekshme dhe domethënëse, ndër të cilat:
• Sponsorizimin e tre rrugëve kryesore të Saukut;
• Mbështetjen e autorëve të librave dhe shoqatave kulturore;
• Strehimin dhe financimin me të ardhurat personale të nëntë familjeve kosovare (37 persona) gjatë eksodit të vitit 1999;
• Ndihmën për fëmijët jetimë;
• Kontributet në fatkeqësitë natyrore në Shkodër;
• Mbështetjen për Shoqatën “Tirana” dhe për të përndjekurit politikë.

Në momentet vendimtare të historisë moderne, ai ishte gjithashtu në krye të revoltave qytetare kundër simbolikës së diktaturës, duke dëshmuar vetëdije të thellë kombëtare dhe angazhim publik.

Pas marrjes së titullit, Lulzim Brahja falënderoi për vlerësimin dhe premtoi se nuk do të rreshtë kurrë së kontribuari për të mirën e Tiranës dhe Shqipërisë.

Një traditë që forcon identitetin qytetar

“Sofra Tiranase 2026” nuk ishte thjesht një festë përvjetori. Ajo u shndërrua në një manifestim të identitetit qytetar, në një urë lidhëse mes artit, kulturës dhe komunitetit, duke forcuar krenarinë për historinë dhe vlerat e kryeqytetit shqiptar.

Në 106 vite si Kryeqytet, Tirana vazhdon të rritet e të modernizohet, por mbi të gjitha, vazhdon të ruajë shpirtin e saj fisnik atë shpirt që mbrëmë u ndje fuqishëm në çdo varg kënge, në çdo pikturë dhe në çdo duartrokitje.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME