Policia e Elbasanit, në koordinim të plotë me aktorët e tjerë të ngarkuar me përgjegjësi në fushën e sigurisë dhe drejtësisë, ka intensifikuar përpjekjet për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, duke shënuar rezultate konkrete në terren.Si rezultat i angazhimit maksimal të punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit në territorin e qarkut, duke reflektuar efektivitetin e masave parandaluese dhe goditëse të ndërmarra.
Në ambientet e DVP Elbasan u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun, i organizuar nga Drejtori i DVP Elbasan, Drejtues Fatmir Hoxha. Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë për Sigurinë dhe Rendin Publik, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, Kryetari i Gjykatës z. Elis Dine, Kryeprokurori pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan z. Kreshnik Ajazi, Drejtori i AMP-së z. Dritan Pjetri, përfaqësues të Prefekturës dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe drejtues e specialistë të strukturave të Policisë së Elbasanit.
Në fokus të analizës ishte puna e kryer gjatë vitit 2025, ecuria e zbatimit të masave të deritanishme, si dhe identifikimi i saktë i zonave me risk të lartë për kultivimin e bimëve narkotike – veçanërisht ato zona ku janë konstatuar raste në vitet e mëparshme. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rritjes së efektivitetit të kontrolleve në terren, si me patrullime në këmbë ashtu edhe me përdorimin e dronëve për monitorimin ajror të territorit.
Gjatë takimit u përcaktuan gjithashtu strategjitë dhe masat që do të ndiqen gjatë vitit 2026, të cilat parashikojnë intensifikimin e kontrolleve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe aplikimin e metodave të avancuara të monitorimit, me synimin për të goditur çdo tentativë për kultivim që në fazë të hershme.Strukturat e DVP Elbasan mbeten maksimalisht të angazhuara për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, duke vijuar operacionet e mirëkoordinuara, punën operative në terren dhe bashkëpunimin me qytetarët, si një hallkë kyçe në garantimin e sigurisë dhe rendit publik në të gjithë qarkun.

