Pogradeci ka mbyllur vitin 2025 me një bilanc pozitiv dhe domethënës në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm mes Policisë së Shtetit, pushtetit vendor dhe komunitetit, në territorin e Bashkisë Pogradec nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të kanabisit, një rezultat që u vlerësua si tregues i qartë i efektivitetit të koordinimit institucional dhe monitorimit të pandërprerë në terren.

Ky sukses u theksua në një takim të zhvilluar së fundmi, ku Kryekomisar Gentan Dedej dhe nën/prefekti i Pogradecit, Luan Maxhari, prezantuan planin e ri të masave për vitin 2026, me fokus forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe reagimit ndaj çdo tentative kriminale.
Duke folur gjatë takimit, Kryekomisar Dedej nënvizoi rëndësinë e përgjegjësisë së përbashkët mes institucioneve dhe komunitetit:“Qëllimi i këtij takimi është lufta dhe sensibilizimi kundër kanabis sativa. Kemi hartuar planet e masave, kryesisht ato operacionale, dhe jemi këtu që secili të marrë përgjegjësitë e veta: policia, pushteti vendor, njësitë administrative dhe kryepleqtë.
Gjatë vitit 2025 kemi pasur zero raste kultivimi në Pogradec dhe këtë bashkëpunim e dua edhe për vitin 2026. Pogradeci është qyteti i librit, penës dhe shkollës, ndaj zëri ynë duhet të shkojë në çdo familje për të ruajtur këtë standard.”
Nga ana e tij, nën/prefekti Luan Maxhari theksoi se ruajtja e këtij trendi pozitiv kërkon vigjilencë të shtuar, veçanërisht në zonat e thella malore dhe në objektet e braktisura:
“Duhet vëmendje më e madhe në zonat me pak banorë dhe në shtëpitë apo parcelat e braktisura, të cilat mund të shfrytëzohen për këtë fenomen negativ.
Monitorimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi mes strukturave lokale është thelbësor për ta vijuar këtë punë të mirë edhe gjatë këtij viti.”
Gjatë takimit u kërkua thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes strukturave të policisë, pushtetit vendor dhe kryepleqve të fshatrave, jo vetëm për monitorimin e territorit, por edhe për parandalimin nëpërmjet sensibilizimit të komunitetit.

Autoritetet ritheksuan se bashkëpunimi me qytetarët mbetet kyç për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, me synimin që Pogradeci të vazhdojë të jetë një model pozitiv në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike edhe gjatë vitit 2026.

