Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Aulona Bylykbashi, iu bashkuan sot nismës për shtimin e pemëve dhe zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra në institucionet arsimore, në shkollën “Ali Agjahu”.
Në bashkëpunim me nxënësit dhe stafin mësimor, u mbollën rreth 30 pemë në oborrin e shkollës, duke kontribuar në përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e hapësirave më të shëndetshme për fëmijët.

Gjatë aktivitetit, deputetja Aulona Bylykbashi theksoi rëndësinë e edukimit mjedisor që në moshë të vogël, duke u shprehur se,
“sot mbollëm më shumë se pemë. Mbollëm kujdes për të ardhmen. Brezi që rritet me dashuri për gjelbërimin, rrit një qytet më të bukur nesër.”

Gjithashtu, me nxënësit e klasave të para dhe parashkollorit u zhvillua një orë edukimi mjedisor, ku u diskutua mbi kujdesin ndaj luleve dekorative, rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe rolin që secili individ ka në ruajtjen e mjedisit.
Aktivitete të tilla në shkolla vlerësohen si tepër të rëndësishme për formimin e brezave të rinj dhe rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor që në moshë të vogël, duke kontribuar në ndërtimin e një Elbasani më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm.


