Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, theksoi se investimet mbeten thelbësore për avancimin e reformës së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Ministrinë e Mjedisit me partnerët francezë.

Në këtë takim u lançua zyrtarisht nisja e programit FASEP, një studim fizibiliteti që do të fokusohet në tre zona strategjike të vendit: Tiranë–Durrës, Fier dhe Elbasan, të cilat përfaqësojnë rreth 65% të gjenerimit të mbetjeve urbane në rang kombëtar. Studimi synon hartimin e skenarëve konkretë dhe operativë për trajtimin e mbetjeve në të gjitha hallkat e sistemit.

Ministri Jaupaj bëri të ditur se fokusi i reformës lidhet drejtpërdrejt me rritjen e ndarjes së mbetjeve në burim, shtimin e riciklimit dhe nxitjen e investimeve afatgjata që mbrojnë mjedisin dhe shëndetin publik, duke promovuar njëkohësisht ekonominë qarkulluese.

Ai theksoi se me miratimin e ligjit të ri për menaxhimin e mbetjeve, ligjit për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit, si dhe me krijimin e AKEM sh.a. si shoqëri aksionere shtetërore, është përmbyllur faza e parë e reformës në këtë sektor.
Sipas ministrit, faza e radhës do të përqendrohet në investime konkrete, të cilat përbëjnë një nga shtyllat kyçe të Kapitullit 27 – Mjedisi, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

