Ibrahima Diallo po konfirmohet si një nga lojtarët më vendimtarë të Elbasanit këtë sezon. Sulmuesi verdheblu ishte protagonisti absolut në fitoren ndaj Dinamos, ku me dy gola të shënuar udhëhoqi skuadrën drejt tri pikëve jetike, në një moment kur fitorja ishte detyrim pas tre barazimeve radhazi. Me këto realizime, Diallo shkon në kuotën e 7 golave në kampionat, duke treguar vazhdimësi, qetësi para portës dhe një rritje të dukshme në lojën e tij. Pas ndeshjes, sulmuesi flet për suksesin ndaj Dinamos, gjendjen fizike, garën për titull, sfidën e radhës me Partizanin, si edhe ambiciet e tij për të ardhmen.
Si ndiheni pas dy golave që i dhanë fitoren skuadrës?
Sigurisht që jam shumë i lumtur, sidomos për faktin që i dhanë tri pikë skuadrës. Vinim pas tri ndeshjesh që barazonim dhe në këtë takim kërkohej vetëm fitorja. Më vjen mirë që ia arritëm.
Ju kishte marrë malli të shpalleshit lojtari i ndeshjes?
Jo, jo. E them këtë sepse unë nuk mendoj për trofe individualë. Mendoj vetëm për të bërë maksimumin dhe që skuadra në fund të fitojë ndeshjen.
U zëvendësuat në fundin e pjesës së parë. Si është dëmtimi?
Nuk mendoj se është diçka serioze. Thjesht një kontraktim.

Vetëm një pikë larg vendit të parë, si e shihni garën për titull?
Ka ende shumë ndeshje të mbetura. Ka ende kohë dhe ndeshje të tjera përpara për të shkuar në krye.
Si e prisni ndeshjen me Partizanin?
Nuk ka asgjë të veçantë në krahasim me ndeshjet e tjera. Ne mendojmë vetëm të shkojmë atje, të luajmë, të fitojmë dhe të kthehemi në shtëpi me tri pikë.
Cili ka qenë kundërshtari më i vështirë i Elbasanit këtë sezon?
(Mendohet) Patëm disa probleme në ndeshjen e fundit me Egnatian, që besoj se i rregulluam në takimin me Dinamon, ku edhe fituam.
Cilat janë synimet e Diallos për të ardhmen?
Gjëja e parë është që unë të shfaqem shumë mirë këtu tek Elbasani dhe të tregoj versionin më të mirë timin. Më vonë, pse jo, të shoh për ndonjë kampionat më të fortë, si ai belg, gjerman apo ndonjë ligë tjetër.

