Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Ermal Elezi, ka ndarë përmes një postimi në rrjetin social Facebook reflektime dhe emocione nga një vizitë zyrtare në Parlamentin e Italisë, duke e cilësuar këtë moment si simbolik për rrugëtimin personal dhe atë të komunitetit shqiptar.
Elezi kujton se shumë vite më parë, si adoleshent, kishte shkuar në Itali me ëndrra të mëdha, në një kohë kur paragjykimet ndaj shqiptarëve ishin të pranishme dhe të njohura për të gjithë. Sot, ai shprehet se rikthehet në të njëjtin vend si deputet i Shqipërisë, me krenari për rrugëtimin e gjatë dhe të ndershëm të komunitetit shqiptar në Itali.

Sipas tij, shqiptarët në Itali janë shndërruar në një shembull dinjiteti, pune dhe integriteti, duke ndërtuar me përkushtim një emër të mirë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për kombin shqiptar. Gjatë takimit në Parlamentin Italian, Elezi thekson se ka ndjerë respekt dhe vlerësim për shqiptarët, si dhe përparimin e përbashkët në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Në përfundim të mesazhit të tij, deputeti shpreh mirënjohje për çdo shqiptar që ka hapur rrugë me punë dhe sakrificë, duke nënvizuar krenarinë për çdo hap që afron më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët me familjen europiane.


